Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar deputetin gjerman, Gunther Krichbaum, i cili sot në një deklaratë për mediat shqiptare tha se Berisha është nën akuzë të fortë nga SPAK dhe duhet ti hiqet imuniteti.
Për këtë deputet, Berisha paralajmëroi edhe nisjen e një procesi gjyqësor, ndërsa u shpreh se “ka ardhur koha që t’i varim tenqenë këtij deputeti që shkelmon autoritetin e Bundestagut”.
Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ngrihen dhe të bashkohen në betejën, që ai e quan vendimtare.
“Ju bëj thirrje të bashkuar në betejën tonë vendimtare. Ka ikur koha që të ankohemi si Edi Rama se na i vjedh zgjedhjet. Koha është të veprojmë kundër këtij hajduti dhe armiku të egër të votës dhe vullnetit tonë. Koha është të respektojmë miqtë dhe partnerët, por koha është ti varim teneqenë individëve si ky deputet që shkelmon reputacionin e tij, autoritetin e Bundestagut, një institucion të mrekullueshëm. Ka ikur koha që të mashtrohemi nga pengjet e Edi Ramës, lojërat e tyre të shpifura. Të mendojmë me besimin e madh se opozita është jetike për të ardhmen e këtij kombi dhe këtij vendi”, tha Berisha.