Ministri i Brendshem Taulant Balla tha se Shqipëria dënon ashpër sulmin e dhunshëm të armatosur kundër Policisë së Kosovës dhe theksoi nevojën për të zbutur ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, përmes integrimit në BE. “Pushtimi rus ka theksuar rëndësinë gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor edhe në mesin e skeptikëve, të cilët kanë kuptuar, shpresoj të jetë kështu, se prania dhe ndikimi rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të zbutet duke integruar plotësisht Ballkanin Perëndimor në BE.

Deklaratat u ben në një forum të organizuar nga shoqëria civile, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit ne Tirane, me temë “Thyerja e barrierave për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, për çështjet e besimit mes institucioneve në rajon”.

Balla tha se ka edhe një kontekst të ri gjeopolitik që lidhet me situatën e kohëve të fundit dhe provokimet ne veriun e Republikës së Kosovës, të cilën – dua të nënvizoj edhe një herë – se Shqipëria dënon në mënyrë më të ashpër sulmin e dhunshëm të armatosur kundër Policisë së Republikës së Kosovës më 24 shtator. Ky sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm agresioni kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës, por jo vetëm”, u shpreh ai, në konferencën ku mori pjesë dhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Sveçla.
Më tej, ministri i Brendshëm shqiptar tha se lëvizja me ID karta në rajon, vetëm forcon marrëdhëniet mes tyre.

“Regjimi i lëvizjes së lehtësuar midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mundësuar përmes kartave të identitetit, për të cilat jam i lumtur të kem pjesë e përgjegjësisë në Ministrinë e Brendshme, përfaqëson një marrëveshje rajonale që nxit një rajon më koheziv, duke forcuar lidhjet dhe duke ofruar përfitime të shumta për banorët e tij”, nënvizoi Balla.
Për t’ju përgjigjur kërcënimeve në fushën kibernetike, Ministri propozoi ngritjen e sistemit të paralajmërimit në kohë.

“Në përputhje me konsensusin e arritur gjatë Takimit Ministror të 14 Shtatorit, ekziston një rekomandim i fortë për bashkëpunim rajonal për të krijuar një qendër të sigurisë kibernetike, të cilën do të propozoj që të ngrihet në Tiranë. Kjo qendër do të vepronte si një pikë ndërlidhjeje për shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira, duke njohur si natyrën ndërkufitare të kërcënimeve, ashtu edhe brishtësinë e qenësishme të kornizave tona teknologjike. Krimet kibernetike kërkojnë fokus të specializuar dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kultivojnë më tej një bashkëpunim të qëndrueshëm në këtë fushë”, theksoi Balla.