Kryeministri Edi Rama duke folur për gazetarët përpara se të nisë takimi i Komunitetit Politik Europian ka deklaruar se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme, pas vrasjes së policit.
Rama kërkoi që veprimi i Serbisë që mbajti zi për të vrarët nga grupi terrorist që ekzekutuan policin e Kosovës Afrim Bunjaku, është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga BE-ja.
“Jemi të shqetësuar sepse është situata e rrezikshme, tani është një pikë ku vit pas viti potenciali i rrezikut është rritur, aktivitetet kriminale në atë pjesë ku pakica serbe është më tepër e përqëdruar, tani janë lidhur me axhendën politike kështu që është shumë e rrezikshme.
Në këtë rast ka nevojë që autoritetet e Kosovës të lëvizin përpara dhe të tregohen proaktivë në dialog dhe të marrin në konsideratë planin franko-gjerman që është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe rajonin.
Por në të njëjtën kohë, vetëm fakti se Republika e Serbisë ka deklaruar ditë zie për anëtarët e grupit kriminal paramilitar që vrau policin, është e mjaftueshme për të thënë që kjo nuk është europiane, nuk është e pranueshme”, tha Rama.
Pyetjes së gazetarëve nëse i druhet një lufte, Rama iu përgjigj: “Lufta është fjalë shumë e madhe, por përpara se të jetë vonë duhen ndërmarrë disa hapa. Ne jemi duke e ndjekur nga afër”.
Në takimin e Komunitetit Politik Europian që mbahet në Granada, marrin pjesë 47 shtete, nga të cilat 27 janë anëtare të BE-së.