Kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka thënë se në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë është diskutuar për situatën në veri të Kosovës.
Sipas Brnabiç, për ngjarjet në Banjskë dhe dialogun Kosovë-Serbi, “nuk ka pasur presione”, ndërsa shtoi se është biseduar edhe për “atë që do të vijë në kuadër të dialogut”, duke iu referuar Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Për serbët dhe joshqiptarët në Kosovë absolutisht nuk ka kushte elementare për një jetë normale”, ka pretenduar ajo dhe ka shtuar se ka kërkuar që kjo të mos diskutohet më si çështje politike por “humanitare”. E pyetur pse e përshëndeti ftohtë kryeministrin Edi Rama, Brnabiç tha: “Ndonjëherë nuk je thjesht një politikan, ndonjëherë je edhe njeri. Nuk e di se çfarë ka bërë, nuk është në përputhje me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, me atë që bëjmë ne në kuadër të Ballkanit të Hapur. Serbia nuk ka bërë absolutisht asgjë që dikush të kërkojë sanksione.
Nuk duhet marrë personalisht, unë jam këtu, folëm, do të vazhdojmë të flasim, gjithmonë të hapur për marrëdhëniet sa më të mira me institucionet shqiptare.”