Shqiptarja Heidi Baci, e cila braktisi “Big Brother Vip Italia” pas takimit me babain e saj Gentin, është rikthyer në shtëpinë e famshme ku është përballur me aktorin, Massimiliano Varrese, me të cilin nisi një histori dashurie.
Ishte pikërisht kjo lidhje që “detyroi” babain e 26-vjeçares të hynte për disa minuta në shtëpinë e “Grande Fratello” dhe t’i kërkonte të bijës të hiqte dorë nga loja e të kthehej në shtëpinë e saj, duke mos pranuar romancën e Heidit me italianin, 21 vite më të madh.
Heidi mbërriti në studion e spektalit ku tregoi historinë e saj dhe marrëdhënien që ka me babain.
“Kur pashë babanë u lumturova, sepse ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë në familje. Duke e parë në sy, kuptova se nuk e kisha parë kurrë kështu. Nuk kam frikë nga babai, është qesharake. Në atë moment u turbullova nga mendimi i nënës sime. Ata nuk më njohën dhe janë shumë mbrojtës ndaj meje”, u shpreh Heidi Baci.
Ndërkohë në përballjen me aktorin italian, ky i fundit i drejtohet duke u shprehur se është prekur shumë nga fjalët e babait të saj.
“Nuk kam asgjë për të thënë më shumë, Heidi. Lotët që ke parë janë edhe ato të një personi që ka dëgjuar fjalët e forta të babait tënd. Duke mos dashur të komentoj apo të përkeqësoj situatën, nuk munda të shfryj as verbalisht apo në ndonjë mënyrë tjetër, kështu që unë shpërtheva. Në ato imazhe shoh një njeri që ndoshta ka bërë filmin e tij dhe kjo është në rregull. Më vjen shumë keq që më quajtët ‘ky individ’, e marr pak si një nënçmues. Gabimi im ishte mbivlerësimi i ndjeshmërisë së Heidit”, tha Varresse.
Ndërkohë ish-banorja qëndron e qetë dhe shprehet se: “Ky ‘individ’ është nënçmues sepse të kam mbështetur shumë herë, të kam kuptuar, të kam ardhur në ndihmë dhe pavarësisht kësaj, pavarësisht se të kam thënë një mijë herë të ngadalësosh, të stepesh pak, nuk e bëre, përdore psikologjinë e kundërt, atë të injorimit në një shtëpi ku jetonim bashkë”.
47-vjeçari i përgjigjet: “Çfarëdo që të thuash është në rregull. Mund të thuash çfarë të duash. Ne do të flasim për këtë…”
Ndërsa Heidi e ndalon menjëherë duke i thënë: “Jo, nuk do të flasim më për këtë. Unë po bëj këtë përpjekje për ta mbyllur. Nuk dua më kontakte dhe dua që t’i të ndalosh së foluri për mua, babin dhe familjen time pa e ditur të vërtetën.”
Para mbylljes së takimit Varrese shprehet: “E gjitha është shumë e qartë, por gjithashtu do të doja që këto mesazhe shpifëse të mos thuheshin më mbi mua”.