Marrëdhënia e Princeshës Diana me Dodi Fayed është një nga historitë, me të cilat “Netflix” ka ngacmuar fansat me postimin e një serie imazhesh pak para nisjes së sezonit të gjashtë të serialit “The Crown”. Seriali i ardhshëm do të dramatizojë ngjarjet e fundit të viteve 1990, duke përfshirë ditët e fundit të jetës së Princeshës Diana. Aktorja australiane, Elizabeth Debicki, tha se ishte një “sfidë unike” për të portretizuar rolin e Dianës javët e saj të fundit. Në imazhet e sezonit të gjashtë, Diana (Debicki) shihet në një makinë me Dodin (Khalid Abdalla). Të dy vdiqën më 31 gusht 1997, kur makina e tyre u përplas në një tunel në Paris, teksa po ndiqeshin nga paparacët me motoçikleta.

Sezoni i gjashtë do të ndahet në dy pjesë, me katër episodet e para, tw cilat do tw publikohen mw 16 nëntor. Duke folur në Festivalin TV Edinburgh në fillim të këtij viti, producentët thanë se do ta trajtojnë temën e vdekjes së Dianës “me ndjeshmëri”.
Imazhet e tjera nga sezoni i gjashtë tregojnë skena në një jaht që i përket babait të Dodit, manjatit të biznesit Mohamed Al Fayed, i cili luhet nga Salim Daw. Al Fayed vdiq në shtator në moshën 94-vjeçare. Princi Charles luhet sërish nga Dominic West, ndërsa djemtë e tij, William dhe Harry, luhen në gjysmën e parë të sezonit nga Rufus Kampa dhe Fflyn Edwards.