Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, ka kërkuar dorëheqjen e shefit të OKB-së Antonio Guterres. Kjo kërkesë erdhi pasi Guterres, në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku tha se sulmi i 7 tetorit nga Hamasi drejt Izraelit “nuk ndodhi në vakum”, pra i pandikuar apo i shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Erdan tha se Guterres tregoi dhembshuri për mizoritë e kryera ndaj popullit izraelit prandaj duhet të japë dorëheqjen.
“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili tregon mirëkuptim për fushatën e vrasjeve masive të fëmijëve, grave dhe të moshuarve, nuk është i përshtatshëm për të udhëhequr OKB-në. I bëj thirrje që të japë dorëheqjen menjëherë. Nuk ka asnjë justifikim apo qëllim për të folur me ata që tregojnë dhembshuri për mizoritë më të tmerrshme të kryera kundër qytetarëve të Izraelit dhe popullit hebre. Thjesht nuk ka fjalë”, ka shkruar ambasadori, në një postim në X, dikur Twitter.
Guterres tha gjithashtu se popullit palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjetësh. “Ata i kanë parë tokat e tyre të shpërndara vazhdimisht nga vendbanimet dhe të rrënuara nga dhuna. Ekonomia e tyre u mbyt. Njerëzit e tyre u shpërngulën dhe shtëpitë e tyre u shkatërruan. Shpresat e tyre për një zgjidhje politike të gjendjes së tyre është zhdukur”, tha shefi i OKB-së.
Por ai gjithashtu tha: “Ankimet e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit dhe ato sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez”.