Seanca gjyqësore për ish kryeministrin Sali Berisha, në Gjykatën e Posaçme, në lidhje me akuzat ndaj tij për korrupsion pasiv, për privatizimin e ish kompleksit sportiv, “Partizani”, është shtyrë për në orën 15:00.

Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se ka mundur të kontaktojë me dy avokatet e caktuara nga shteti për të mbrojtur Berishën, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, të cilat dolën nga seanca pak çaste pasi filloi, duke thënë se është shtyrë.

Ndërkaq, në lidhje me këtë, pati edhe një njoftim nga Gjykata e Posaçme.

“Në datën 26.10.2023, ora 10.30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.
– Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e thirrur për caktim kryesisht nga gjykata, av.Jalldiz Kastrati dhe av.Rabije Cenalia. Nga ana e gjykatës, iu la kohë mbrojtësve për tu njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe për këtë arsye ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, për të rifilluar diten e sotme, në orën 15.00”, thuhet në njoftimin e GJKKO.