Nga Ben Blushi/

Europa i ngjan një statuje të vjetër të cilës po i lëkunden këmbët. Dy këmbët mbi të cilat ajo ka qëndruar për shekuj janë demokracia dhe krishterimi. Demokracia funksionon përmes partive dhe Krishtërimi përmes kishës. Sot të dyja këto këmbë janë më të dobëta dhe më të plasaritura se kurrë. Herë pas here duket sikur njëra do thyhet dhe Evropës duhet t’i sjellin paterica që të qëndrojë drejt dhe mos rrëzohet. Nganjëherë Rusia dhe shumë më shpesh Amerika i bëjnë një shërbim ortopedik por nuk dihet për sa kohë.

Dikur, Europa ishte fuqia më e madhe në botë, pastaj u bë më e pasura, pastaj më e drejta, ndërsa tani nuk është më asnjëra nga të tria. Ka disa vende që janë më të fuqishme se ajo, ka shumë shtete më të pasura dhe jo pak shoqëri më të lira, më të hapura dhe më demokratike. Ka vende ku jetohet më mirë, ku ka më shumë diell, ka më shumë punë dhe ku qeveritë marrin vendime të drejta edhe pa ndihmën e zgjedhjeve. Ka pra shumë vende me më pak kokëçarje se Europa. Duke punuar më pak, paguhesh më shumë dhe argëtohesh edhe më shumë. Vende të tilla po shtohen me shpejtësi nga Azia, në Afrikë dhe pa dyshim në Amerikën Latine. Aty dielli është më afër, taksat janë më të ulëta, sigurimet janë më të lira, qeveritë janë më elastike, kisha është më e parëndësishme dhe demokracia nuk është kthyer ende në pengesë.

Ndërkohë në Europë, vendet e punës po pakësohen, diferenca mes jugut dhe veriut të kontinentit po shtohet, popullsia po plaket, emigrantët po organizohen, dhe mendja po largohet. Europa nuk eksploron më siç ndodhte dikur, çka është shfaqja më e mjerueshme e dobësisë së saj. Ajo ka zbuluar shumicën e tokave dhe deteve që njohim sot. Kjo u dha europianëve pasuri, prona dhe pushtet. Ata eksportuan mënyrën e tyre të jetesës kudo ku shkuan. U dhanë popujve të tjerë shpikjet e tyre më të mëdha: institucionet, zgjedhjet dhe kishën. Këto tre shpikje shërbyen për t’i pushtuar dhe pastaj për të shkëmbyer mallra me popujt e tjerë. Europianët çuan ligje dhe morën erëza, çuan institucione dhe morën kafe, çuan kishën dhe morën flori, çuan libra dhe morën lëkurë.

Europianët kanë qenë tregtarët më finokë të historisë. Por nuk janë më.

Eksportet e tyre janë pakësuar. Bota nuk ka më nevojë as për kishën,as për institucionet,as për demokracinë. Në të ardhmen Europa do të mbetet një popullsi më e varfër se Amerika, shumë më e plakur se Afrika dhe ndoshta më pak e arsimuar se Azia. Njëqind vjet më vonë parashikohet të ketë humbur gati një të tretën e popullsisë. Duke qenë një popullsi e plakur, investimi kryesor që bëjnë sot europianët janë pensionet e tyre. Njerëzit punojnë për të pasur spitale më të mira, ilaçe më të lira dhe një pleqëri të gjatë dhe të shëndetshme. Në një kuptim, Europa mendon më shumë për pleqërinë. Prandaj mbetet një vend i mirë për t’u plakur, por jo për të lindur dhe ky është problemi kryesor që ka sot.

Po pse është kaq e dobët Europa? Sepse dy institucionet mbi të cilat është ngritur fuqia e saj historike, janë në krizë. Kisha dhe partitë.

Por le të vijmë te Kisha. Pyetja duhet apo nuk duhet kisha, është sot më e fortë se kurrë. Në fakt, pyetja më e drejtë në këtë rast do ishte: për çfarë duhet kisha? A ka ndihmuar dot ajo që jeta e njeriut të zgjatet siç ka bërë mjekësia? Jo. Sepse kisha është marrë gjithë jetën me jetën pas vdekjes. A ka ndihmuar kisha që shoqëritë të jenë më të hapura dhe njerëzit më të barabartë? Jo. Sepse kisha edhe sot ndihmon me zell që të përjashtohen nga shoqëria homoseksualët, gratë dhe ata që duan të jetojnë pa familje. Kisha është homocentriste. U jep përparësi burrave ndaj grave. Më e vërtetë do ishte të thuhej se u jep përparësi burrave dhe jo atyre që duan burrat. A e ka ndihmuar kisha njerëzimin të luftojë varfërinë, urinë dhe etjen? Jo, sepse megjithëse keq dhe me shumë vonesa, këtë detyrë e kanë bërë shtetet. A ka ndihmuar kisha që njerëzimi të lëvizë më shpejt, të komunikojë më shumë dhe të zbulojë territore të reja? Jo, sepse historikisht shkencëtarët janë sulmuar nga kisha. Sikur njerëzimi t’i ishte bindur kishës, ndoshta sot nuk dinim asgjë për kozmosin, nuk do i njihnim qelizat që përbëjnë trupin e njeriut, nuk do kishim celularë, avionë, mikroskopë, teleskopë dhe popullsia e botës do shtohej në proporcion të barabartë me aktet seksuale, për sa kohë që abortet dhe prezervativët mbeten armiqtë më të mëdhenj të kishës.

Atëherë për çfarë duhet kisha në kushtet kur nuk po e ndihmon, por përkundrazi po e vonon evolucionin e njerëzimit? Europa nuk e di përgjigjen dhe ende nuk po e gjen. Ekonomistët më dashamirës do ta nxirrnin një institucion jo rentabël, historianët do ta klasifikonin si një muze, ndërsa fëmijët si një legjendë. Si një nga dy këmbët që mbajnë ende lart statujën e Europës,kisha është kthyer në një protezë. Dhe nuk do kalojë shumë kohë kur të zëvendësohet nga një protezë tjetër të cilën Europa, megjithëse po e kërkon, nuk po e gjen dot.

Kush mund ta zëvendësojë Kishën?

Ateizmi jo sepse ai është i ngjashëm me kishën. Ateizmi është besimi tek mosbesimi, që në cdo rast është një besim. Islami? Megjithëse një besim më i ri, më agresiv dhe më energjik, ai është i destinuar të kalojë nëpër shtegun e Krishtërimit duke qenë një rival kulturor dhe gjeografik i tij. Islami ndjek Krishtërimin si në suksese edhe në dështime dhe ky është dështimi i tij më i madh. Ai përpiqet t’i ngjajë dikujt që ka dështuar para tij.

Megjithatë, bota nuk vuan nga besimet e pakta, por nga mungesa e funksionalitetit të tyre. Fetë nuk janë praktike dhe ky është defekti kryesor që ato kanë. Zoti është plakur, sapo ka kaluar 2000 vjeç, është i ngathët dhe i duhet shumë do kohë të marrë një vendim. Besimet monoteiste që rrotullohen rreth tij nuk gjejnë dot zgjidhje për varfërinë, për sëmundjet, për luftërat, për depresionin, për ekologjinë dhe për vdekjen. Aq më pak për lumturinë. Zoti nuk i bëri kurrë njerëzit të lumtur. Ata vdesin njëlloj gjithmonë e më të palumtur.

Ndoshta Inteligjenca Artificiale mund ta zëvendësojë Kishën në Europë. Ose më saktë Inteligjenca Artificiale nuk do ta zëvendësojë dot Kishën por mund të fshijë nevojën e saj. Inteligjenca artificiale, nuk është besim por është një funksion. Bota e sotme ka më shumë nevojë për funksione sesa për besime, sepse bota ku jetojmë është më praktike dhe shumë më dembele. Europa nuk do të bëjë më punë fizike. Ajo është e lodhur dhe e plakur. Asnjë europian nuk punon më shofer taksie dhe nuk pastron shtëpitë e të tjerëve. Inteligjenca Artificiale ka lindur që njeriu të bëjë më pak punë fizike. Në këtë mënyrë Europa mund të garantojë krahun e punës që i mungon.

E shtyrë nga robotët artificialë dhe e hutuar nga humbja e kishës, Europa do hyjë gradualisht në një fazë që nuk e ka njohur. Imagjinoni sikur pas 50 vitesh të gjitha makinat të jenë pa shofer, kamarierët të jenë robotë, shërbyesit e shtëpive robotë bashkë me pastruesit, pjatalarësit, marinarët, pilotët, marangozët, hidraulikët, elektricistët dhe infermierët të cilët të gjithë do jenë të automatizuar. Ushtarët po ashtu do jenë makina. Policët nuk diskutohet. Polici do jetë një robot që ecën më shpejt se ty, shumë i më i fortë se më i forti prej nesh, ndoshta një dron që fluturon dhe të asgjeson nga ajri nëse t’i shkel ligjin. Asnjë krim nuk do mbetet pa zbuluar. Kriminelë që mund të mundin një ushtri robotësh nuk do të ketë më dhe as spekulantë që mund t’i mashtrojnë makinat tatimore për të bërë evazion fiskal siç bëjnë sot. Shteti do kontrollojë gjithçka. Puna fizike do zhduket gradualisht përfshi edhe bariun,bujkun dhe mjelësin e lopës.

Në këtë mënyrë njerëzit do arrijnë atë që kanë ëndërruar: mos punojnë. Njerëzit do shërbehen nga robotët të cilët as nuk lodhen, as nuk plaken, as nuk korruptohen dhe prandaj nuk ngjallin pakënaqësi. Ata nuk kanë humor, nuk janë hakmarrës, nuk kanë zili, nuk kanë ambicie, nuk kanë uri, nuk kanë xhelozi dhe nuk kërkojnë të paguhen për punën që bëjnë. Robotët janë të zhveshur nga nevojat materiale, nuk duan pasuri, shtëpi, prona, flori, bixhuteri, ata nuk duan ushqim, nuk kanë nevojë për ajër, për dritë, për ujë, për pushime, për masazhe, për mjekim, për ilace dhe terapi, ata nuk kalojnë në depresion, nuk bien në dashuri, nuk martohen, nuk ndahen nuk vjedhin dhe nuk mashtrojnë. Ata janë perfektë.

Gradualisht Inteligjenca Artificiale do jetë administrata shtetërore. Meqë ajo mund të jetë perfekte dhe të ofrojë shërbime të cilësisë së lartë, pa radhëdhe pa rryshfet, nuk ke arsye ta ndryshosh. Dhe meqë nuk ke arsye të ndryshosh administratën, nuk ke as nevojë të ndryshosh partitë sic bëjmë ne sot, sa herë votojmë. Votimet do jenë gjithmonë e më të panevojshme. Grekët e lashtë votonin, por në Mesjetë zgjedhjet u zhdukën kudo në botë. Sot në shumë vende nuk ka zgjedhje asnjëherë, nuk ka parti dhe popujt që nuk votojnë fare, nuk jetojnë më keq se ne që votojmë shpesh. Përkundrazi.

Në këtë realitet futurist, pas Kishës, partitë mund të jenë institucionet më të sakrifikuara. Nëse Kisha do bëhet e panevojshme, partitë mund të bëhen të padobishme. Imagjinoni sikur pas 50 vitesh në parlamentin e një vendi europian të mblidhen deputetët dhe të diskutojnë për cilësinë e robotëve : a duhet t’i japin apo jo të drejtë robotëve të bëjnë punët e shtëpisë, të pastrojnë qytetet apo t’i japin autobuzëve që cojnë fëmijët në shkollë. Ky do ishte një debat i kotë sepse cilësia e robotëve që zëvendësojnë krahun e punës,pra punëtorët, nuk do varet nga ligjet që bëjnë partitë në parlament, por nga fabrikat dhe laboratorët që prodhojnë Inteligjencën Artificiale. Pra nga tregu. Tregu do zëvendësojë ligjet ose më saktë do bëjë ligjin. Tregu, pra prodhuesit e AI, do zëvendësojnë partitë dhe ndoshta në një të ardhme edhe shtetet.

Atëherë statuja më e famshme e botës, Europa, do rrëzohet sepse të dyja këmbët e saj do jenë thyer : edhe demokracia edhe kisha. Europianët nuk do kenë më nevojë të votojnë dhe të besojnë. Ndoshta kjo do jetë Europa e të ardhmes. Një Europë pa kisha dhe pa parti në të cilën liria e njerëzve do jetë e mbrojtur dhe e garantuar nga robotët. Nga makinat që punojnë. Në emër të njerëzve dhe për njerëzit.

Të gjithë ata që pyesin se çfarë do bëjnë njerëzit kur mos punojnë më, unë besoj se e kam një përgjigje : njerëzit do mendojnë, do dëgjojnë muzikë, do lexojnë libra dhe do bëjnë dashuri në qetësinë e një bote ku partitë dhe Zoti nuk kanë më mundësi të shkaktojnë uri, dhunë dhe luftë sepse nuk do egzistojnë.

Në kushtet kur nuk do vuajnë më për bukë, për ujë, për liri dhe për punë, ndoshta njerëzit do t’i dedikohen artit, pra nevojës për të zbukuruar planetin dhe jetën e tyre të përditshme, siç bëjnë perënditë që njerëzit duan të zëvendësojnë. Perënditë nuk bëjnë punë fizike, nuk votojnë për njëri-tjetrin dhe nuk i falen asnjë Zoti. Ata merren me zbukurimin e kohës.

Kështu mund të ndodhë. Dhe nëse kjo ndodh diku, si fillim do ndodhë në Europë.

Atëherë ia vlen të jesh europian. Megjithëse ia vlen edhe sot dhe çdo ditë. Sigurisht.