Kryeministri Edi Rama, garantoi sot se qeveria do të mbështesë zgjerimin e mëtejshme të lëvizjes “Sporti në Shkolla”, duke aplikuar dhe disiplina të tjera. Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë vetëm tek sporti me dorë, por duhet të zgjerohet edhe në disiplina të tjera sportive.

I pranishëm gjatë konferencës kombëtare “Sporti, motor zhvillimi”, i mbajtur në Thumanë, Kryeministri Edi Rama, kujtoi edhe procesin e rindërtimit, si një moment kthese për rajonin i cili u prek nga tërmeti dramatik i 26 nëntorit 2019.

“Nuk besoj se do ta imagjinonte dot njeri, në ato ditë të tmerrshme kur Thumana ishte e epiqendra e goditjes së tërmetit, që jo shumë vite më pas ne do të mblidhenim këtu më pas me kaq shumë kampion të sotëm dhe të djeshëm dhe me praninë e të gjitha federative të sportit, për të shfrytëzuar infrastrukturën e një mjedisi sportiv nga më të mirët në Shqipëri, për sa i takon mjediseve sportive kombëtare. Dhe në këtë godinë të shërbimeve ndaj komunitetit, që është një model i ri, që e ka Thumana, por që nuk e kanë qytete të tjera shumë më të mëdha. Dhe faktikisht, kjo sot është realitet”, tha Rama.

Sipas tij, “vërtet, që ishte një sfidë më vete Thumana, edhe për faktin se kur erdhëm këtu në ato momente kemi qenë bashkë, tronditja shumë e madhe, njerëzit ishin ende të lemerisur nga çfarë u kishin parë sytë, ishte krijuar një kamp i improvizuar me çadra tek fusha e futbollit dhe mos besimi ishte total. Mosbesimi ishte total dhe t’u thoshe se do t’i bëjmë të gjitha dhe do ti bëjmë më mirë. Është si t’u thuash, mirë të gjitha, po hajde dëgjoni dhe ca rrena”, tha Rama.

“Një ndër gjërat që u thashë, ishte se kishin merak për fushën, u thashë se do bëjmë më shumë fusha…Dhe u bënë gjërat, por u bën për hir të së vërtetës se u bashkuan shumë forca. S’mund të rri pa përmendur fondacionin “Shqiptarët për shqiptarët”, për shtëpitë individuale. Kemi qenë vazhdimisht në kontakt, pasi janë qarë dhe hallet se njerëzit, pas ka momente që bëhen të vështirë dhe është e mirëkuptueshme, pasi nisën dhe sherret mes familjeve. Ka ndodhur dhe ndarje brenda familjes për të fituar edhe ndonjë shtëpi më shumë, pasi programi ishte edhe strehimi. Kishte familje që ishin disa kurora, që u jepej shtëpia për të gjitha kurorat”, shtoi Rama.

Duke kthyer vëmendjen tek sporti, Rama tha se “tani problem është se si ta mbajmë gjallë dhe ta kthejmë në një traditë këtë që po bëjmë sot. Si ta bëjmë gjithë këtë kompleks, që të jetohet në mënyrë të vazhdueshme, që të përdoret për aktivitetin sportivë, jo vetëm në mënyrë spontane, por edhe në mënyrë të organizuar. Dua të falenderoj Fidelin (Yllin), që na e bëri të mundur të gjithë këtë ardhje këtu, të të gjithëve ju”, tha Rama.

“Këtu është dhe shefja e zyrës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka kanalizuar fondin e BE për shkollat, këtu kemi nga shkollat më të mira të Shqipërisë. Deri dje tha një drejtor nuk kishim një banjë në shkollë, tani kemi më shumë banjë në shkollë se në të gjithë fshatin. Janë bërë me standarde optimale”, nënvizoi Rama.

Rama tha se për sporte si peshëngritja po ping pongu dhe të tjera, mund të procedohet me stërvitje të përbashkëta për disa shkolla, ndërsa rikujtoi edhe idenë e klasave sportive.

“Dua të them që kemi vendosur gurin e themelit të lëvizjes sportive në shkolla. Patjetër që kemi humbur jashtëzakonisht shumë kohë. Është humbur shumë kohë më parë, por edhe më pas, s’dua t’ja lë të gjithën të tjerëve përpara, sepse kemi krijuar një hendek shumë të madh midis moshave në raport me edukimin fizik dhe sportin”, vijoi Ai.

“E dimë shumë mirë që lëvizja sportive në shkolla nuk është një lëvizje për ata të cilët do të bëhen sportistë, por është për shumë më tepër arsye sesa kaq, por është dhe baza për të nxjerrë më pas talentet nga vendet ku pa mundësinë që të stërviten nuk mund të evidentohen. Megjithatë ky gur i parë themeli është vënë, përsëri vitin e ardhshëm, ne kemi dhënë komitetit olimpik mbështetje financiare për lëvizjen sportive në shkolla në mënyrë që tani të përballemi me sfidën që kjo të mos jetë një ngjarje, por të jetë një traditë”, nënvizoi Kryeministri.

“Dhe sigurisht që nuk mjafton të fokusohemi tek lojërat me dorë për vajzat dhe djem, as volejbollin dhe basketbollin, por duhet të kërkojmë zgjerimin e disiplinave dhe të përfshimë dhe federatat e tjera. Natyrisht nuk mund të kemi ekip peshëngritje në çdo shkollë apo Ping Pongu në çdo shkollë, por fare mirë mund të bëjmë atë që Bora ka organizuar për artin dhe Zejet që në një pikë më të afërt të katër pesë shkollave është një ekip i caktuar. Dhe të rrisim hapësirat dhe mundësitë për fëmijët që sipas prirjes së tyre të angazhohen në sa më shumë disiplina sportive”, tha ai.

Sipas kryeministrit, “Kjo është pjesë e objektivave në vijim. Së treti, është me rëndësi që ta konsolidojmë dhe ta rritim cilësisht në aspektin e organizimit, atë që nisëm me kampionatet e shkollave që dhanë rezultat shumë të mirë në aspektin e energjizimit dhe të krijimit të një lidhje në kohën pas shkolle. Jo vetëm për nxënësit që luajnë, por edhe të tjerët, por edhe prindërit. Së katërti do vazhdojmë me zgjerimin e infrastrukturës, kem sot në Shqipëri shumë palestra, ndërsa nuk kishim fare, por duhen edhe të tjera. Tanimë është bërë normë që s’ka shkolla të reja, pa patur të gjitha mjediset sportive përfshirë edhe palestrën e mbyllur”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se duhet të krijohen klasat sportive për më të talentuarit.

“Më tej është pa diskutim e rëndësishme që të fillojmë të krijojmë një kategori tjetër të atyre që janë më të talentuarit dhe më të dëshiruarit për të bërë pak më shumë stërvitje dhe për tu angazhuar pak më shumë, siç ka qenë dikur me klasat sportive”, tha Rama.

Për kryeministrin, sporti është unik dhe mbetet prioritet i qeverisë.

“Duke qenë të gjithë këtu janë përfaqësues të komiteteve olimpike, federative, u them se jemi shumë të angazhuar dhe rritim mbështetjen edhe për federatat, përtej lëvizjes sportive në shkolla që është realisht një prioritet për ne për 1001 arsye dhe që skanë të bëjnë me planin për të nxjerr sportistë nga të katër anët, por kanë të bëjnë me ato aspekte të tjera që sporti është unikë, është I pazëvendësueshëm, që se bënë asnjë aktivitet tjetër të jetës së njerëzve, për sensin e skuadrës, ndjenjën e përkatësisë për një qëllim të përbashkët. Për vetëdijesimin e shëndetit fizik dhe të tjera si këto.
Ju falenderoj për kontributin që jepni, do ma falni fiksimin por dua të falenderoj Gaz Caçin që është këtu. Shumë të rinjë po duartrokasin pa e kuptuar se kush është, por dua t’ju them, që kanë humbur diçka në jetë, që skanë patur mundësi të shohin Gaz Çaçin duke luajtur basketboll në pallatin e sportit Asllan Rusi”, përfundoi Rama.