Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë kërkuar që në gjyqin që do të zhvillohet sot (3 tetor) për Fatmir Mediun të merret edhe dëshmia e 12 personave të tjerë. Mes listës, dallohen dy emra të rëndësishëm, ish-drejtuesit e kompanisë amerikane “AEY”, Efraim Diveroli dhe David Packouz, dëshmia e të cilëve mund të jetë shumë e vlefshme për gjykatën, pasi ata mund të rrëfejnë rolin e Shkëlzen Berishës në atë krim shtetëror që i mori jetën 26 personave të pafajshëm.
Mediu kërkoi 90 dëshmitarë
Procesi gjyqësor pritet të jetë i gjatë nisur dhe nga numri i madh i dëshmitarëve të cilët pritet të dëgjohen në gjykatë. Ndërkohë vetë Fatmir Mediu kërkon që të pyeten 90 dëshmitarë. Mes tyre figuron ish zëvendës sekretari amerikan i Mbrojtjes në periudhën 2006-2009 Gordon England, apo dhe ish ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Italisë.
SPAK kërkon 71 dëshmitarë, mes tyre Shkëlzen Berishën
SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të marrë në pyetje 71 dëshmitarë në gjyqin ndaj Fatmir Mediut për masakrën e Gërdecit të 15 marsit 2008. Mes tyre për herë të parë kërkohet edhe dëshmia e Shkëlzen Berishës, djalisht të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Pse akuzohet Mediu?
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament.