Juristi Kreshnik Spahiu ishte këtë të premte i ftuar në Euronews Albania ku tha se ish-presidenti Ilir Meta, nuk do arratiset nga drejtësia, nëse atij i shkon thirrja nga SPAK.

Edhe pse që prej ditës kur është dhënë masa e sigurisë për ish-kryeministrin Berisha, nuk dihet vendndodhja e Ilir Metës, juristi Spahiu tha se ai nuk do arratiset, por është duke monitoruar situatën e duke fituar kohë.

“Unë jam nga ata që ndonëse Meta është larguar në të njëjtën ditë që ndodhën arrestimet, unë jam nga ata që besoj se Meta nuk do kërkojë azil politik dhe nuk do të arratiset nga Shqipëria. Unë jam nga ata që besoj se Ilir Meta është fshehur dhe po qëndron në distancë, për të monitoruar situatën se çfarë do të ndodhë dhe një nga arsyet që unë besoj se Meta do të kthehet është mos arrestimi i Berishës.

Duke qenë se Berishës i është vendosur një masë proceduariale e lehtë, siç është detyrimi për paraqitje. duke qenë se ai po shmang qoftë kontaktin me prokurorinë, me policinë dhe po fiton atë lirinë fizike, kjo përbën një motiv dhe një arsye më shumë që Ilir Meta ta konsiderojë si një precedent pozitiv, që do të thotë ish-kryeministra dhe ish-president nuk hetohen duke u arrestuar.

Ndaj besoj se do jetë i gatshëm dhe prezent për një apo dy dosje të hapura”,-tha juristi Kreshnik Spahiu duke shtuar se në këtë moment Meta po e shikon nga larg këtë proces, pasi në këtë formë monitoron situatën, rrit kontaktin dhe fiton më shumë kohë.