Gazetarët Eni Ferhati dhe Klodiana Lala kanë folur për një çështje që është nën hetim aktualisht nga SPAK në bazë të disa komunikimeve të zbuluara mes trafikantëve në aplikacionin e koduar SKY ECC.
Eni Ferhati dhe Klodiana Lala, bënë të ditur në emisionin ‘Opinion’ se SPAK ka dyshime që sasia e kokainës prej 613 kg e sekuestruar në vitin 2018 në magazinën e “Arbri Garden” dhe që ruhet në Laboratorin e Policisë, mund të jetë vjedhur nga grupe kriminale dhe të jetë zëvendësuar me niseshte, miell apo lëndë të tjera.
Sipas tyre, SPAK i ka këto dyshime pas një komunikimi të një personazh të njohur të botës së krimit në vend që ka kërkuar marrjen e kësaj sasie kokaine nga ambientet e policisë me qëllim shitjen e saj më pas në treg të lirë.
Dyshohet gjithashtu që në komunikime të jenë përfshirë edhe zyrtarë të policisë.
Për këtë arsye SPAK është duke e hetuar këtë çështje.
Klodiana Lala: SPAK mbi bazën e disa të dhënave të marra nga komunikimet në EncroChat dhe në SKY është duke hetuar nën dyshime të mundshme se grupet kriminale në bashkëpunim me zyrtarë të policisë kanë ndërhyrë në laboratorin kriminalistik të Policisë së Shtetit për të hequr prej andej dhe për të marrë sasitë e mëdha të drogës të sekuestruara që nga viti 2018. E mbani mend drogën e Arbër Çekajt? Ka rezultuar një bisedë në EncroChat dhe në SKY ka dyshime të forta dhe nëse kjo do të rezultojë e vërtetë, do të jetë një ndër skandalet më të mëdha që do përfshijë Policinë e Shtetit dhe dyshohet që në momentin kur trafikantët kanë dështuar për ta grabitur drogën brenda laboratorin, kanë punuar me mekanizma të tjerë për ta zëvendësuar me miell, niseshte etj.
Eni Ferhati: Çështja është që në SKY është një bisedë ku synohet… është një skenar filmi hollivudianë. Grabitja nuk ka ndodhur. Një individ shumë i lartë i botës së krimit është shprehur në SKY që të godasim drogën e sekuestruar nga policia. Droga ndodhej në Institutin e Policisë Shkencore në magazinat, ruhet nga forca policie.