Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier tha se Berlini dhe Uashingtoni “janë të vendosur” në mbështetjen për Ukrainën. Ky qëndrim i tij vjen pas një takimi me Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.
“Presidenti Biden më siguroi sërish sot në bisedimet që patëm se ne mund të mbështetemi tek Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye ishte e rëndësishme për Presidentin Biden dhe për mua që të dërgojmë këtë sinjal së bashku sot. Ne do të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj për liri dhe demokraci”, tha Presidenti gjerman.
Ky ishte takimi i parë midis Presidentit Steinmeier dhe homologut të tij amerikan Biden dhe erdhi mes shqetësimeve në rritje për qëndrueshmërinë e mbështetjes perëndimore për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus. Presidenti demokrat Biden po përballet me një kundërshtim në rritje nga republikanët e Kongresit ndaj përpjekjeve të tij për të vazhduar ndihmën për Ukrainën, në prag të fillimit të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë qenë kontribuesi më i madh i ndihmës ushtarake të Perëndimit për Kievin.