Papa Françesku ka reaguar për sulmin e befasishëm të Hamsait ndaj Izraelit, në të cilin rreth 500 njerëz janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Kreu i Kishës Katolike bëri thirrje të ndalen sulmet mes dy vendeve, pasi lufta sjell vetëm vdekjen e njerëzve të pafajshëm dhe asnjë zgjidhje konkrete.

“Ju lutem ndaloni sulmet dhe armët, le të kuptojmë se terrorizmi dhe lufta nuk sjellin asnjë zgjidhje, por vetëm vdekje dhe vuajtje për shumë njerëz të pafajshëm. Çdo luftë është një disfatë. Le të lutemi për paqen në Izrael dhe Palestinë”, tha Papa Françesku në fund të Engjëllit për atë që po ndodh në Izrael.

“Po ndjek me frikë dhe ankth atë që po ndodh në Izrael, ku dhuna ka shpërthyer edhe më shpejt, duke shkaktuar qindra të vdekur dhe plagosur. Shpreh afërsinë time me familjet e viktimave, lutem për ta dhe për të gjithë ata që po përjetojnë orë terrori dhe ankthi”, shtoi Papa.