Që Sylvinho i ka ndryshuar fytyrën Kombëtares kjo nuk ka pikën e dyshimit. “Shqiponjat” kuqezi fituan edhe dje 2-0 kundër Bullgarisë në një test miqësor, me tanët që po rregullojnë edhe statistikat negative të 70 viteve të fundit, me kundërshtarët respektivë.

Por le t’i marrim me radhë

Më 10 shtator 2023, Shqipëria mundi 2-0 Poloninë në “Air Albania”. Fitorja, veç mbajtjes së pozitës numër një në grupin E kualifikues të Euro 2024, solli edhe një triumf pas 70 vitesh të tanëve kundër polakëve. Fitorja e fundit ndaj Polonisë, para ndeshjes së një muaji më parë, datonte më 29 nëntorin e 1953 me rezultatin 2-0. Kundër polakëve, Shqipëria kishte vetëm një fitore, teksa vuante 10 humbje dhe tre barazime.

Në takimin e 70 viteve më parë tanët e nisnin ndeshjen me këtë formacion: Hamdi Bakalli, Loro Boriçi, Leonid Dashi, Simon Deda, Muhamet Dibra, Besim Fagu (c), Skënder Jareci, Refik Resmja, Xhevdet Shaqiri, Muhamet Vila, Qemal Vogli.
Kundër Çekisë/ Kombëtarja fitoi më 12 tetor 2023 kundër Çekisë 3-0, po për grupin E kualifikues të Euro 2024. Takimi në “Air Albania” u dominua nga tanët, me Sylvinhon që sërish përmirësoi një tjetër rekord negativ. Plot 71 vite kishin tanët që nuk fitonin me çekët, që në vitin e largët 1952 (07 dhjetor). Shtatë ndeshje, katër fitore për çekët, dy për tanët (viti 1952) dhe një barazim. Këto ishin bilancet e përballjeve mes Shqipërisë dhe Çekisë në historinë e futbollit mes dy vendeve, para se Kombëtarja të fitonte 3-0 më pak se një javë më parë. Kundër Bullgarisë/ Kuqezinjtë fituan më 17 tetor 2023 kundër bullgarëve 2-0 në miqësoren e zhvilluar në Tiranë. Prej 4 qershorit të vitit 1950, tanët nuk fitonin një ndeshje ndaj këtij kundërshtari, andaj rezultati i djeshëm solli triumfin pas plot 73 vitesh.
4 qershor 1950, kjo ishte dita e fitores së parafundit të kombëtares shqiptare kundër Bullgarisë, 2-1, ardhur edhe atëherë në një ndeshje miqësore. Ishin vetëm dy sukseset e kuqezinjve kundër bullgarëve para takimit të fundit dhe fitorja e parë i përket vitit të largët 1946, kur Shqipëria fitoi 3-1, me dy gola të Loro Boriçit dhe një të Pal Mirashit në rrugën drejt titullit kampione e Ballkanit.

Kështu, me rekordet negative më shumë se 70-vjeçare të rikuperuara, Sylvinho duket se ka gjetur “shkopin magjik” për Kombëtaren tonë. Me 99.99 përqind të kualifikuar për në fazën finale të Euro 2024, kuqezinjve iu duhet një pikë kundër Moldavisë në transfertën e 17 nëntorit për të zyrtarizuar festën kuqezi. Mesa duket trajneri brazilian ka filluar të mendojë për grupet e Euro 24, teksa rinovimi është çështje e mbyllur.