Ka një meritë Gazment Bardhi, që do t’ia njohim me kalimin e kohës. Ndoshta e ka të pavetëdijshme dhe nuk është koshient se çfarë dëmi i ka bërë Berishës, në përpjekje për të dëmtuar Lulzim Bashën. Ka marrë gjithë ata deputetë dhe ja ka çuar Berishës në tryezë, në emër të bashkimit.
Deri këtu është në rregull për Berishën.
Por kjo prurje ka një problem. Të gjithë këtë deputetë e kanë nxjerr një herë frikën për të qenë kundër Berishës. Janë ngujuar një herë më 8 janar në një kullë dhe janë përleshur me të me gaz lotsjellës, me gurë, shkopinj dhe grushte. Kanë folur kundër tij publikisht. De më pas nuk ja kanë dalur dot të ecin me këmbët e veta dhe kanë trokitur në derën e tij. Por ky bashkim, nuk është ashtu siç i do Berisha bashkimet. Ai me bashkim nënkupton dorëzimin, uljen në gjunjë para tij, kërkim ndjese për gabimet që ke bërë dhe pastaj të qenit dikush një numër aty në sallë. Mbledhja e djeshme e deputeteve me Berishën, i ka nxjerrë atij një problem të madh.
Ai ka konstatuar se këta deputetë kanë filluar të mendojnë.
Të mendosh dhe të përdorësh logjikën para Berishës dhe mbështetësve të vet, është gjëja më armiqësore që mund të bësh ndaj tij. Është më mirë të jesh armik i tij, ta shash 24 orë, ta luftosh natë e ditë, vetëm të mos bëhesh me të dhe pastaj të fillosh të mendosh. Kjo ja rrëzon gjithë sistemin e tij politik, pasi përveçse duhet të flasë, do t’i duhet dhe të dëgjojë. Këtë nuk e bën dot. Dje disa nga deputetët kanë folur dhe akoma më keq, kanë përdorur logjikën. Dikush i ka thënë se ky bashkimi është kot, s’po prodhon asgjë, dikush i ka thënë të ndryshojmë emrin e partisë dhe të bëjmë parti të re, dikush i ka thënë të mos ankohemi më se na vjedh Edi Rama etj.
Kjo është gjëja më e rëndë që mund të thuash në sy të Berishës, pra të thuash gjëra logjike. Të thuash gjëra logjike në një parti që i ka shpallur luftë logjikës, është sikur të kërkosh të mbjellësh portokalle në Tropojë. Nuk i bën ajo tokë ato pemë. As në partinë e Berishës nuk është rregull që duhet të mendosh. Po qe se mendon pastaj bie i gjithë sistemi që ka ngritur Berisha, gjithë justifikimet e tij, dhe mbi të gjitha, i bie gjithë gënjeshtra e tij e madhe e opozitarizmit, që në fakt është një betejë për të krijuar një bunker opozitar për të dhe familjen e tij.
Nëse shikoni si ka belbëzuar dje duke kundërshtuar çdo propozim, e kuptoni qartë se tani problemi i tij më i madh nuk është përçarja, por bashkimi. Përçarja e shpëton atë. Ekzistenca e PD me Lulzim Bashën më vete e lehtëson atë. Por kjo që këta që kanë shkuar tek ai në emër të bashkimit, fillojnë e thonë gjëra logjike, e shkatërron.
Dhe këtë meritë duhet t’ia njohim Gazment Bardhit. Dhe ai nuk e ka bërë me logjikë, por nga inati i Bashës. Por kjo nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që përball Berishën me pyetje logjike. Dhe kjo është ditë e zezë për të.