Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku priti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së, në Shqipëri, David Wisner dhe pjesëtarë të ekipit të seksioneve ligjzbatuese në këtë ambasadë. Vizita, për t’i çuar më tej partneritetin dhe bashkëpunimin solid të deritanishëm, ndërmjet forcave të rendit të SHBA-së, Ambasadës së SHBA-së, në Shqipëri, dhe Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit.
Drejtori i Përgjithshëm falënderoi të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës Amerikane dhe përfaqësuesit e tjerë të ambasadës, për vizitën, si dhe për mbështetjen dhe besimin. Gjithashtu, i siguroi ata se Policia e Shtetit është partnere e besueshme e SHBA-së, si dhe se është maksimalisht e angazhuar për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët strategjikë dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Më tej, Wisner falënderoi Policinë e Shtetit, për përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, si dhe për përpjekjen për një Shqipëri më të sigurtë. Wisner dhe përfaqësuesit e tjerë çmuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet forcave të rendit të SHBA-së, Ambasadës së SHBA-së, në Shqipëri, dhe Policisë së Shtetit, si dhe shprehën gatishmëri për ta intensifikuar më tej këtë bashkëpunim.