22-vjeçarja gjermano-izraelite Shani Louk është ende gjallë. Kështu ka deklaruar e ëma e saj Ricarda Louk për mediat gjermane, duke i bërë thirrje qeverisë atje për ndihmë.

Ajo thotë se ka informacione se Shani është gjallë duke shtuar se ka marrë lëndime të rënda në kokë dhe ndodhet në gjendje kritike.

“Çdo minutë është me vlerë për ne, duhet të veproni shpejt dhe ta largoni Shanin nga Rripi i Gazës”, është shprehur ajo.

Kujtojmë se videot e së resë u bënë virale në rrjetet sociale, pasi ajo ishte marrë peng nga terroristët e Hamasit të cilët e kishin zhveshur dhe lidhur në bagazhin e makinës së tyre dhe bënin paradë nëpër qytet. Në një tjetër video, siç raportohet në mediat e huaja, një burrë e kapte për flokësh dhe e pështynte.

Ajo u kap në shkretëtirën Negev, afër kufirit me Gazën pasi ndodhej te festivali muzikor.

Mësohet po ashtu se karta e vajzës është përdorur në një dyqan në Gaza të Dielën, një ditë pasi Shani u kap rob.

Prokurorët në Gjermani njoftuan të martën se po nisin një hetim ndaj Hamasit me dyshimin për rrëmbim dhe vrasje të qytetarëve gjermanë pas sulmeve të përgjakshme të nisura nga grupi terrorist në fundjavë.

Kancelari Olaf Scholz, tha se Berlini po punonte intensivisht me autoritetet izraelite në përpjekje për të zbuluar fatin e qytetarëve gjermanë midis pengjeve.