Tetori në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.
Mjekët në vendin tonë rekomandojnë të kemi vetëdijesim të hershëm dhe të shpejtë si dhe të bëhen të njohura shenjat e kancerit në gji, siç janë: gjëndrat, skuqje, dhimbje, apo çdo ndryshim i pazakonshëm në gji. “Ekzistojnë disa mënyra për njohjen e kancerit të gjirit dhe këto duhet t’i dinë të gjithë, e pjesa më e madhe gratë apo vajzat në moshë më të re. Nëse shihet në cilëndo pjesë të gjirit gjëndër, dhimbje, skuqe apo edhe çdo ndryshim të pazakontë, rekomandohet të bëhen kontrolle si: mamografia, e cila kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme dhe mund të kryhet në çdo kohë, pastaj të bëhet edhe ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor, eko e gjirit si dhe më e rëndësishme është të bëhet vetëkontrolli mujor i gjirit”, rekomandojnë mjekët.
Ata shtojnë se ndryshimet në gji jo detyrimisht do të thonë se një femër ka kancer gjiri. Megjithatë, nëse një femër ka simptomat e mësipërme duhet të shkojë menjëherë te mjeku të kontrollohet.
Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm, ku trajtohet në disa mënyra si: ndërhyrjet kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi. Fatmirësisht, pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Maqedoni.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Odës së Mjekëve, dr. Xhabir Bajrami deklaroi për gazetën KOHA se në vend na nevojiten pajisje si dhe radiolog. “Është pothuajse e njëjta mesatare në të gjithë Ballkanin perëndimor për sa i përket kësaj sfere. Tek ne nevojiten aparate shtesë që duhet të sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë, veçanërisht në rajonet provinciale si dhe duhet mjek radiolog të dërgohen për trajnim, ku patjetër organizimi len vend për të dëshiruar”, tha Bajrami. Ai shtoi se viteve të fundit të gjitha grupmoshat janë të rrezikuar e sidomos periudha reproduktive si dhe duhet të ketë ndërgjegjësim të madh.
Ndryshe, nga viti i kaluar në Maqedoninë e Veriut kontrollet për kancerin e gjirit, gjegjësisht mamografia bëhet falas dhe participimi mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë. Nga ana tjetër, gratë prej vitesh reagojnë për mungesën e terminëve për mamografi, eko dhe biopsi.