Në artikullin e fundit “Albania Untamed”, të botuar në “The Financial Times” më 30 shtator shkruhet për peizazhin e paprekur, të egër dhe të bukur të lumit të Vjosës në vendin ballkanik, Shqipëri, shkruan Ulrich Eichelmann nga “RiverWatch”, Shoqëria për Mbrojtjen e Lumenjve, Vjenë, Austri, të botuar në FT.
Së bashku me organizata të tjera ne kemi punuar për më shumë se 10 vjet për të mbrojtur Vjosën, lumin e fundit të egër të Evropës, nga kërcënimi i ndërtimit të digave, të gjitha në një përpjekje për të promovuar ekoturizmin.
Megjithatë, shumica e imazheve në artikullin e “The Financial Times” dhe përshkrimi i referohej peizazheve artificiale dhe rezervuarëve të digave. Ata shkatërrojnë natyrën. Liqeni i Komanit, i cili gjithashtu përmendet, është një rezervuar i madh dige në lumin e Drinit.
Një pjesë e madhe e lumit është lënë në harresë duke e kthyer atë në një zinxhir rezervuarësh.
Megjithatë, lexuesit që shohin këtë artikull mund të mendojnë që lumenjtë e shkatërruar janë pjesë e natyrës. Edhe pse kjo mund të duket si një gjë e vogël, nuk është.
Ne po punojmë në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit për t’i bërë njerëzit të kuptojnë ndryshimin midis natyrës reale dhe asaj që thjesht duket piktoreske, duke theksuar mundësitë ekonomike që lindin nga mbrojtja e kësaj “natyre të egër”.
Shqipëria dhe shtetet e tjera ballkanike kanë diçka që nuk e kanë vendet e tjera të Evropës, pikërisht natyrën e mirëfilltë.
Lumi i Vjosës është një shembull i mirë. Së bashku me shumë organizata dhe individë, përfshirë kompaninë amerikane “Patagonia” dhe Leonardo DiCaprio, aktorin e famshëm hollivudian të cilët përmenden në artikull, ne kemi arritur të ndalojmë një sërë projektesh për ndërtimin e digave.
Ne shpresojmë të krijojmë parkun e parë kombëtar të lumit të egër në Evropë. Kjo do të përfaqësonte një mundësi të madhe ekonomike për komunitetet lokale në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit.