Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zbuluar arsyen pse u zgjodh Piramida si vendi që do të mikpresë Samitin e liderëve të Procesit të Berlinit. Në një intervistë për Neës 24, ai tha se një zgjedhje e tillë u bë jo vetëm për të promovuar një nga godinat ikonike të kryeqytetit, por edhe se një nga kubat e saj do të shërbejë si një nga zyrat e Kolegjit të Evropës.
 
“Epiqendra e aktivitetit është Piramida e Tiranës. Kryeministri dhe unë jemi padyshim agjentët më të mirë të marketingut të qytetit, pra duam të ‘shesim’ gjithmonë produktin “Made in Tirana” në çdo mundësi që kemi. Zgjedhja për ta mbatjtur Samitin te Piramida nuk është e rastësishme. Ekziston Pallati i Kongreseve dhe Pallati i Brigadave, ka aktivitete që zhvillohen pa fund në qytet, por kemi zgjedhur Piramidën sepse pasi të mbarojë gjithë Samiti, bashkë me  z. Granoff, që është bashkëfinancuesi nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, aleati ynë kryesor që kemi punuar në shumë projekte të tjera, kemi shfrytëzuar këtë sfond të Samitit si qershia mbi tortë të jetë hapja e Piramidës.

Jo rastësisht një nga kubat e Piramidës do të jetë zyra e Kolegjit të Europës, në këtë sens do të akumulojmë gjithë këtë vëmendje, që vjen në Tiranë, për të promovuar ndoshta një nga ndërtesat ikonike të Tiranës. Projekti i Piramidës, që tani është në finale të shumë prej çmimeve të arkitekturës”, tha Veliaj.