Në ditën e fundit të vizitës zyrtare në Kanada, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u prit dje edhe nga kryetarja e Bashkisë së Mississaugas, Chris Fonseca, qytet ku banon një numër i madh i komunitetit shqiptar. Gjatë këtij takimi, kryebashkiakët folën për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes dy qyteteve, ndërsa në përfundim të saj dy homologët ngritën flamurin shqiptar në Bashkinë e Mississaugas, si simbol i miqësisë.
Kryebashkiaku i Tiranës shprehu mirënjohjen e tij, sidomos për mikpritjen që iu është bërë mijëra qytetarëve shqiptarë në këtë qytet. “Është një kënaqësi e veçantë për delegacionin tonë që e mbyllim vizitën në qytetin e Mississaugas. Dua të falenderoj kryetaren, është vërtet një mikpritje e jashtëzakonshme! Nëse mikpritja jonë është vetëm disa minuta, mikpritja që Mississauga i ka ofruar komunitetit shqiptar është 30-vjeçare. Ndaj, jam posaçërisht mirënjohës që i keni hapur dyert, qytetin dhe institucionet e Bashkisë, të Qeverisë, të arsimit, komunitetit shqiptar, që siç e dëgjuam dhe nga kolegët tanë shqiptarë këtu, është vërtet duke lulëzuar. Kur një vend ngre flamurin e një kombi tjetër, kur përqafon gjuhën e një kombi tjetër, kur lejon shkollat e një vendi tjetër, tregon se është në fakt një vend i emancipuar”, u shpreh Veliaj.
Nga ana e saj, kryebashkiakja Chris Fonseca u shpreh se bashkëpunimi mes dy qyteteve do vijojë të rritet në të ardhmen. “Është nder dhe privilegj t’ju kemi këtu sot! Faleminderit që morët nga koha juaj për të ardhur në qytetin e Mississaugas, për të mësuar pak më shumë rreth nesh, por më e rëndësishmja, teksa qëndroni në qytetin tonë sot, shumë prej vlerave dhe parimeve tona janë të njëjta. Çdo gjë fillon nga komuniteti lokal. Mezi pres mundësi të tjera që qyteti i Mississuagas dhe qyteti i Tiranës të bashkëpunojnë në të ardhmen”, tha ajo.
Më herët, Veliaj u takua edhe me Kryeministrin e Ontarios, Doug Ford, me të cilin bisedoi gjithashtu për komunitetin shqiptar atje.