Për herë të parë, Shqipëria është vendi pritës i Kupës Europiane të Shahut, eventi prestigjioz më i rëndësishëm në Europë, i cili ka sjellë në vendin tonë edhe legjendën botërore të shahut, ish-kampionin Garry Kasparov. Kasparov u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i dhuroi atij “Çelësin e Qytetit”.
 
Gjatë takimit, kryebashkiaku Veliaj kujtoi qëndrimet e mëhershme të Kasparovit si aktivist, por edhe si mbështetës i zëshëm i Ukrainës.
 
“Sot nuk e kemi luksin të jemi indiferentë. Secili duhet të përpiqet, duhet të ketë një qëndrim. Ndaj, të falënderoj për qëndrimet e tua. Për shumë prej nesh, që kemi qenë studentë në vitet 2000-2001 dhe kemi lexuar shkrimet e tua, ju keni qenë zëri i parë i fortë që tregoi se ç’përfaqëson Rusia, Putini dhe filozofia e një perandorie të mbetur në tentativë. Ndonjëherë, shumë personalitete do të donin të mos u dilte profecia, por fatkeqësisht profecia doli. Ajo që parashikohej, apo ajo që ju e ndjetë që në fillim, i ndodhi sot Ukrainës dhe pavarësisht se ne themi “Never Again” [Kurrë më], prapë ndodhin të njëjtat gjëra, që historia i harron shumë shpejt. Në një shenjë miqësie dua t’ju dhuroj ‘Çelësin e Qytetit të Tiranës’, për respektin që kanë jo vetëm sportistët, por edhe aktivistët, për rolin tuaj, si simbol i një dere, zemre dhe mendje të hapur, për t’ju kujtuar se do të keni gjithmonë një shtëpi në Tiranë, ku e duan sportin dhe aktivizmin tuaj të jashtëzakonshëm”, u shpreh Veliaj.
 
Garry Kasparov vlerësoi mbështetjen dhe kontributin e Tiranës për Ukrainën, teksa shtoi se vende shumë herë më të pasura dhe më të fuqishme nuk po bëjnë sa duhet për popullin ukrainas.
 
“Asgjë nuk më jep më shumë kënaqësi se sa kur shoh se si qyteti që dikur jetoi në errësirë, i izoluar nga pjesa tjetër e botës, tani po tregon pasion për të promovuar lirinë. Jam i lumtur për mbështetjen që i keni dhënë popullit ukrainas sepse Ukraina është tashmë në vijën e parë të kësaj beteje të pambarimtë, midis lirisë dhe terrorit. Këtu, në Tiranë, ndihem mes miqsh! Disa qytete, përfshirë edhe tuajin, po bëjnë shumë më tepër sesa shumë qytete të pasura, të cilat thjesht kërkojnë justifikime dhe jo të veprojnë me vendime. E vlerësoj mbështetjen tuaj në këto vite të errëta, ndihmën për të fuqizuar kërkesën tonë për liri. Vajte-ardhjet në Tiranë duket sikur më japin energji për punën time, për Ukrainën dhe për miqësinë tonë”, tha Kasparov.
 
Garry Kasparov është një kritik i zëshëm i Putinit për më shumë se një dekadë, duke udhëhequr opozitën pro-demokratike në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.