Flamingot janë rikthyer edhe këtë sezon në liqenin e Pogradecit. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura shpërndau në faqen e saj zyrtare një video, e cila tregon “mysafirët specialë” në liqen.
“Nëse ndodheni pranë këtij liqeni, mund të keni fatin të vrojtoni nga afër rreth 40 flamingo”.
Flamingot janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.
Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur, në vendin tonë habitati i këtij lloji është Laguna e Nartës, Karavastasë.
Prej disa vitesh tashmë, flamingot frekuentojnë edhe liqenin e Pogradecit për një periudhë të shkurtër kohore, edhe pse ai nuk përbën habitatin e tyre natyror.