Një ‘shtëpi bari’ është konstatuar në Vorë, ndërsa është shpallur në kërkim autori i kultivimit të bimëve narkotike. Policia po ashtu ka vënë nën hetim bashkëshorten e tij, ndërsa një punonjës i OSHEE, Lulzim Sheteli, është arrestuar për shpërdorim detyre.

Në videon e ndarë nga Policia shihet edhe se si është përshtatur ambienti i brendshëm i një magazine me llamba për kultivimin e kanabisit, ndërsa në ambiente të ndara shihen edhe kanabisi i kultivuar si edhe fidanët që janë në proces rritjeje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se në Marikaj, një shtetas kishte përshtatur një ambient (magazinë), për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike kanabis, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Marikaj 2”, njofton policia.

Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 1035 bimë narkotike kanabis të kultivuara në vazo dhe 907 fidanë narkotikë kanabis të kultivuar në kubikë, ventilatorë, platforma për shpërndarjen e rrymës elektrike dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Autori i kultivimit të kanabisit, shtetasi K.K., kishte një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, përmes së cilës furnizonte pajisjet e ndryshme për kultivimin e bimëve narkotike. Ndërkohë, gruaja e tij, A. K., dhe pse ishte në dijeni, nuk kishte bërë kallëzim dhe është vënë në hetim për veprën penale “moskallëzim krimi”.

Sa i përket punonjësit të OSHEE, Lulzim Shetelit, është arrestuar pasi nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në këtë banesë.