Dy persona janë vënë në pranga në saj të megaoperacionit policor antidrogë, “Tempulli”
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
J. H., 27 vjeç dhe K. L., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.