Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalë nga Vila 31, ish vendbanimi i diktatorit Enver Hoxha, e cila është kthyer në një hapësirë arti në bashkëpunim me fondacionin francez “Art Explora”.

Para Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Rama deklaroi se në muret e Vilës 31 ndodhet gjithçka që urrente ish-pronari, diktatori Enver Hoxha, shprehjen e lirë të artistëve.

“Jam duke mbajtur gjallë frëngjishten time të burgosur prej një kohe të gjatë, duke thënë se ne në Shqipëri kemi një fjalë që thotë, nëse bie shi ka gjera të mira, është shenjë e mirë. Kur ndodh një vizitë, nëse miku vjen me diell, themi kjo do na ngrohë zemrën, por nëse ai vjen me shi, themi kjo do na mbushë shtëpinë.

Kështu Presidenti ka ardhur me diell për të na ngrohur zemrën dhe sot në shi po na mbush shtëpinë. Kemi përjetuar për shumë vjet sa i përket të ardhmes së piramidës, kësaj shtëpie, që gjatë gjithë rinisë sonë mishëronte të keqen, errësirën dhe të kaluarën që donte të bëhej e ardhmja jonë me kosto të pabesueshme.

Pati madje një projekt për ta shkatërruar piramidën, dhe të vendosej parlamenti. Pati ide për këtë shtëpi, për t’u kthyer në ndërtesë burokracie. Unë kam qenë kundër këtyre, por njëkohësisht isha i detyruar të përdorja këto vende për të mishëruar shpresën dhe të ardhmen. Si mund të bëhej kjo pa larguar fantazmat nga muret?

Si përfundim thamë se në këto mure duhet bërë gjithçka që urrente pronari i mëparshëm dhe atë që donte të largonte. Një nga gjërat më të urryera të diktaturës dhe Enver Hoxhës ishte pikërisht shprehja e lirë e artistëve. Si përfundim e vendosëm këtë dhe filluam të bëjmë hapa duke hapur dyert e kësaj shtëpie për krijuesit e rinj.

Nuk arrinim megjithatë të largonim fantazmën në hije, ishin momente aktivitetesh. Fantazma ishte atje. Nuk po e fshijmë totalisht të kaluarën, por po e kthejmë në burim energjie për të nxjerrë lirinë e shprehjes me respekt dhe admirim”, tha Rama.