Sali Berisha nuk ndal sulmin ndaj gjyqtares së GJKKO-së Irena Gjoka e cila firmosi masën e arrestit ‘detyrim me paraqitje’ dhe ndalim të udhëtimit jashtë si dhe masën e arrestit me burg për Jamabër Malltezin.
“Pyesni pak atë Irena Gjokën, dhe me këtë rast i bëj një thirrje një akrabasë së saj, që është si punë ministri për prokurorinë, ka qenë apo nuk ka qenë kjo zonjë e ndëshkuar nga Sali Berisha në mënyrë ekzemplare. Pyesni pak, mos ngurroni. I them edhe atij ministrit të prokurorisë, ndihmoje gjindjen tënde të bëhet një njeri. Se nëse nuk ka qenë, nuk mundet kurrë të trysnohet një person. Po nëse ka qenë dhe e fsheh, ajo fshihet prapa krimit të saj”
“Gjyqin publik të Edi Ramës nuk kam ndërmend ta bazoj me epitete, se Lana do mbushej me to në qoftë se do hynim në atë fushë. Kam ndërmend ta bazoj vetëm në fakte të pakundërshtueshme që i japin përgjigjen më shterruese aktit të shëmtuar politik të Edi Ramës dhe larove të tij: Kraja, Millonai, Gjoka. Në dacibaon e tyre politike, Edi Rama me larot, turpi i drejtësisë në Shqipëri dhe në botë aludojnë dhe pretendojnë se Sali Berisha reformën programatike në sistemin e pronësisë, një reformë fondamentale për programin e PD, ligjet dhe vendimet për këtë reformë i ndërmori për të favorizuar dhëndrin e tij që të mund të marrë 140 m2 tokë të trashëguar sipas të gjitha dokumenteve zyrtare nga familjarët e tij, gjyshja e tij konkretisht, dhe mbi këtë bazë ndërtojnë akuzat e turpshme të favorizimit të dhëndrit dhe pasurimit të paligjshëm të tij dhe më pas të Sali Berishës” tha Berisha në konferencën për mediat, ku mbrojti dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet pas hekurave për çështjen ‘Partizani’, teksa u shpreh se në asnjë rast nuk ka favorizuar dhëndrin e tij.
Prej 20 tetorit kur GJKKO ka firmosur masën e sigurisë për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, ish kryeministri vijon sulmet publike ndaj njerëzve të drejtësisë ndërsa vetë refuzon të zbatojë vendimin e GJKKO-së si person nën hetim për aferën korruptive të ish kompleksit Partizani.