Deputeti socialist Erion Braçe duke folur në Komisionin e Ekonomisë është ndalur sërish në korrupsionin me pronat, për të cilin thotë se është marramendës dhe nuk po bëhet asgjë për ta ndalur, ndërsa bota ka nisur të taksojë me 2% më të pasurit, duke nënkuptuar aferën e privatizimit të ‘Partizanit’.
“Na duhet një reformë e të ardhurave. Nëse bota foli vjet për një taksë për fitimet mbi kapitalin ne akoma vazhdojmë diskutimet 15% tonë. Nëse bota po flet për një tatim 2% mbi ata që janë më të pasurit mbi elitën e të pasurve, ne nuk kemi kurajo. Nëse bota flet për taksim të pasurisë, të pronës, ne shkaktojmë trazim të të gjithë vendit ku një çështje marramendëse korrupsioni e që ka në thelb pronën nuk na sjellë në vëmendje faktin që nuk tatojmë.
Ore e kuptoni që të jesh pronar i një prone, nuk është turp, turp është ti shmangesh tatimit të asaj prone përmes favoreve që mund të vijnë nga politika fiskale apo përmes abuzimit duke i ikur ligjeve fiskale. Kështu do të vazhdojmë? Mburremi për një sektor ndërtimi që rritet e rritet, e rritet dhe e tatojmë nën atë që sektori duhet të paguaj. Na duhet një reformë që duhet të zhvendosim taksat tek ata që kanë pasuri marramendëse jo tek ata që kanë nga punësimi”, tha Braçe.
Një ditë më parë, Braçe tha se afera ‘Partizani’ tregoi evazionin e frikshëm fiskal në ndërtim dhe propozoi se duhet të vendoset TVSH për trojet që blejnë ndërtuesit.