Ka një debat të madh në publik, pse Sali Berisha ka mohuar që e njeh Erzen Breçanin, një ish- oficer policie në kohën e pushtetit të Berishës dhe zyrtar i lartë i saj.
Berisha me Breçanët nuk janë thjesht nga Tropoja. Janë krushqi, të lidhur e ndërlidhur me shumë fije fisnore me njëri- tjetrin, si pjesë thuajse e një familje.
Nuk bëhet fjalë thjesht për njohje. Janë më shumë se aq. Berisha ka nipa e mbesa me mbiemrin Breçani dhe disa prej tyre janë pjesë dhe e bizneseve me toka e hotele në Gjirin e Lalzit, që nuk janë në emër të Berishëve.
Erzen Breçani ka qenë pas tij qysh nga viti 1997 e deri më sot. Ai ka qenë në çḑo moment oficer i sigurisë së tij, dhe më pas përmes kompanisë së sigurisë fizike që ka pasur, dhe organizator i sigurisë së protestave të tij.
Por mohimi i njohjes së tij është pjesë e kulturës politike të Berishës, është një instikt biologjik i tij, që lidhet vetëm me mbrojtjen e fëmijëve të tij dhe familjes së ngushtë. Çdokush jashtë derës së shtëpisë që në një moment i prish punë, ai natyrisht nuk e njeh.
Të gjithëve ju kujtohet baxhanaku i Berishës i vrarë në Gërdec. Vdekja e tij tragjike nga shpërthimi i municioneve, ishte një nga ato mallkimet që Berishës nuk i ndahen sa herë do të fshehë gjurmët e vjedhjes apo korrupsionit. Ai ngeli aty si dëshmitar i vdekur, i patjetërsueshëm, i pambulueshëm dhe i pashpjegueshëm i asaj historie korrupsioni.
Në momentin që Sali Berisha lexoi deklaratën e parë për shtyp ditën e shpërthimit të Gërdecit dhe pa emrin e baxhanakut, bëri një pauzë, sikur s’po kuptonte emrin dhe ja ndryshoi nga Muhamet Hoxha, në Mehmet Hoxha, edhe pse në letër e ka pasur të shkruar Muhamet.
E njihte dhe e dinte ku ishte, edhe pse të nesërmen nuk shkoi vet në varrim, po dërgoi gruan dhe fëmijët.
Më vonë tha se nuk e njihte baxhanakun dhe nuk e kishte takuar asnjëherë.
Nuk kishte çfarë t’i bënte faktit që ai vdiq aty, në krye të biznesit ilegal të djalit të tij, si një dhëshmitar i frikshëm i asaj historie të pistë, dhe tanimë i pakërcënueshëm dhe i pashantazhueshëm, i historisë së duarve të familjes së tij në Gërdec.
E vetmja zgjidhje ishte të bëhej i pacipë dhe ta mohonte që e njihte. Dhe atë bëri.
Tani është e njëjta histori me Erzenin. Tanimë ai i prish punë. Dhe Sali Berisha në të të tilla raste, nuk ka asnjë skrupull. Thjesht e mohon që e njeh, edhe pse e ka pjesë të përditshme të jetës së tij.
Ai ka instinktin biologjik të mbrojtjes vetëm të fëmijëve të tij. Diferenca e njerëzve me gjallesat e tjera është se ata reagojnë si specie që kanë evoluar dhe nuk e mbështesin çdo reagim mbi instinkte biologjike.
Por Berisha nuk hyn tek kjo specie njerëzore. Ai që përpiqet të ngrejë mitin se është njeri që “nuk lëshon njerëzit e vet”, duhet ta kuptoni se nuk të lëshon vetëm kur ka hallin e vet dhe fëmijëve të vet. Kjo nuk vlen vetëm për Erzenin, por gjithë ata që mendojnë se ai ua ka borxh se kanë sakrifikuar për të. Më shumë se baxhanaku nuk ka sakrifikuar njeri për të, se ai sakrifikoi dhe jetën, por prapë nuk e njohu si baxhanak.