Nga Kristo Mertiri/

Miku im, nuk e kam llafin vetëm për skenat tragjikomike të ditës së hënë në tempullin e Demokracisë e˙ të Pluralizmit, gjatë seancës parlamentare që u kthye në shesh tollovie e rrugacërie. Ti, na ke thënë se e njeh Doktorin që 40 vite më parë. Atje në metropol, bëj zahmet, përpiqu e mos përto ta takosh sa për t’i thënë këtë lutjen time. Po nuk mundesh , shko në ndonjë Konferencë Shtypi, e ma hiq këtë maraz e merak të vjetër. Sepse ca kacagjelëve deputetë mburravecë, të ngrefosur, bosh e të kapardisur, ua ka hequr kapistrën e frerët. I ka lëshuar si azatë të handakosur nëpër mjediset e Parlamentit. Por mua më shëmbëllejnë ndryshe. Në nahijen tonë, shërbëtorët e bindur e kokëtulë, të verbër e të përkulur tmerrësisht përballë “prijësit”, i thërrsin zagarë. Mjafton t’u lëshosh ndonjë kockë dhe ata heshtin ose ndërsehen me lehje e pa lehje, me hënë e pa hënë, me vend e pa vend. Dhe halli ynë nuk është sepse lënë pa gjumë mëhallën. Kjo do ishte mbase gjysma e të keqes. Ja lutja ime deri në përgjërim: -Aman, Doktor, mos ia shto votat Edi Ramës ! Se njerëzia po vë duart në kokë. Edhe emri i partisë së parë opozitare po fëlliqet cdo javë e më tepër. Hallet e tij personale e familjare nuk ia lehtësojnë hic. Përkundrazi. Ia rëndojnë edhe më shumë ata rondokopë të tredhur a të patredhur. Vetëm beteja në Gjykatë do e nxjerrë në selamet. Atje është sheshmejdani për Drejtësi, dinjitet e ndershmëri…

Lutja e mikut tim nga Konispoli (ish pëdëist i thekur e i zhgënjyer herët), më detyroi të hedh këto shënime. Po të ishte vetëm ky, mbase nuk do ia vlente barra qeranë. Janë shtuar e shtohen përditë me zë e nën zë, pasanikë e të varfër, me tesera e pa tesera, të djathtë e të majtë. Nuk e di nëse nga PD-ja e Rithemelimit është bërë ndonjë testim a sondazh në elektorat, nga Jugu në Veri. Apo parashikimet e “horoskopit” sekret i ka nën mëngë vetëm Doktori ?! Le të presim ndonjë befasi a “surprizë” nga podiumi demode i Foltores… Sepse druri muk ka dalë vetëm nga xheneti, por edhe nga mileti. Edhe lehjet pa doganë përtej cdo kufiri moral e qytetar, me dhëmbë e pa dhëmbë, me zë koke a me zë gryke, me mikrofon e pa mikrofon, nuk janë si ato të zagarëve që nuk të hanë dot. Dhe dihet, “shkopin” e ka gati elektorati, publiku i mencur e i heshtur dhe restokthyer përpara kutive të votimit. E ka treguar dhe po e tregon qartë votuesi në qytete e fshatra. Personalisht, besoj shumë te vullneti i zgjedhësve. Ky është zigji që të lë pa fjalë e pa halë kolltuku e pushteti. Ashtu sic u votua 100 përqind Reforma në Drejtësi!

Një shembull që flet shumë sot dhe nesër. Jo rastësisht, SPAK-u po sfidon e po ngrihet më lart se cdo forcë politike e institucion shtetëror e privat, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndihma e drejtpërdrejtë dhe vlerësimet pozitive të europerëndimorëve, nuk u japin krahë vetëm prokurorëve, hetuesve e gjyqtarëve, por edhe vetë qytetarëve të thjeshtë taksapagues. Hetimi dhe prekja e të “paprekshmëve” në emër të Ligjit, nuk është hap i vogël dhe as fishekzjarr euforie. Populli pret shumë ! Popull që duron edhe fukarallëkun, por hajdutërinë e maskarallëkun galopant mbi djersën e tij të kulluar, nuk e duron kurrë. Qofshin ministra, kryeministra, zyrtarë të lartë e të ulët, pinjollë me njollë të zezë, blu a rozë. Në fund të fundit, “qen i bardhë, qen i zi, qen murrash, qen balash, qen është…”, do thoshnin me të drejtë pleqtë e mencur e hokatarë të vendlindjes sime. Duam a s’duam, karvani ecën përpara ! Iku koha me “skenarë” e projekte marrëzie nëpër xhepa, sepete e sirtarë. Aq më tepër kur janë “pa pikë kauze e morali”(kështu i quajti mbrëmë ish deputetja Përnaska). Shqiptarët e vërtetë nuk e kanë kujtesën aq të shkurtër, që nga burgosja e vetme politike e Fatos Nanos. Ose sikur të kujtosh vetëm varrezat e ’97-ës zezonë me mbi 3 mijë të vrarë; flakët e Gërdecit që poqën e dogjën të gjallë 26 vetë; 21 janarin e 4 protestuesve fatkeqë që dhanë shpirt në trotuaret poshte selisë së Kryeministrisë nga plumbat e Gardës së Republikës etj. gjëma të thëna e të pathëna, mjaftojnë për një hetim të plotë e gjykim shembullor. “Aksioni opozitar” që trumbetohet me gojë, me shkrim e me megafonë, nëse shpërthen sadopak për zbardhjen e atyre gjëmave, jemi të gatshëm unë dhe miqtë e mi të dalim në ballë e pa asnjë pishmanllëk ! -“Ka shumë skenarë. Nuk mund t’i them, se kjo është betejë nga një grup deputetësh për herë të parë në histori”. Kaq tha Doktori në pasmesditën e së martës. Po kaq budalla e kujtojnë njerëzinë ?!

Halle-halle kjo dynja. Ndoshta nuk ngjajnë me njëri-tjetrin. Mbi 3 dekada më parë, në ballinën e gazetës “Bashkimi” është botuar një shkrim me firmën time, pas deklaratës së Doktorit President se nuk do të lëvizte nga apartamenti jo dosido i kohës së Enverit në Brrakë. Sinqerisht, atëhere e vlerësova pozitivisht, pa asnjë paragjykim cinik a cyryk.(Madje kujtoj edhe një thënie të tij pak më vonë në Parlament: ”-Kush ngre një pallat bëhet i pasur”! Po me 19 kulla në mes të Tiranës, c’farë bëhesh vallë ?!…). Mirëpo, rrodhën shumë ujëra. Po sot ? Pasuritë tepër marramendëse që kanë dhënë e po japin mediat dhe institucionet serioze për fëmijët, dhëndrrin, bashkëpunëtorët besnikë e jo besnikë, mbështetësit militantë e të panginjur etj., na e bëjnë mendjen ujem. Ka vërshuar zhgënjimi i pafund. Njerëzit e thjeshtë e të ndershëm pyesin drejtpërdrejt : Ky tabor me milionerë e miliarderë(acik të dyshimtë e abuzues) a do të kapnin këto maja majmërie e kusarie, po të mos ishte Berisha president e kryeministër ?! Më thoni, kush mund t’ua mbushë mendjen ndryshe. Apo grupi i deputetëve me cakenj të vjetër e të rinj, që do bëjnë hatara “për herë të parë në histori” ! Kur shikojmë ende edhe ndonjë “zagar plak” të fshehur pas favoreve e privilegjeve të pamerituara, dhe që sulen të cartur nëpër mjediset e Parlamentit, kujtojmë një fabul ezopiane. Dhe vëmë buzën në gas :

-“Një zagar plak i kishte shërbyer me devotshmëri të zotit për një kohë të gjatë, por, me kalimin e viteve, fuqitë e kishin lënë pak nga pak dhe ankesat për shëndetin sa vinin e shtoheshin. Një ditë, kur ndodhej për gjah me të zotin, u doli përpara një derr i egër. Zagari u sul me vrull dhe e kapi nga veshi, mirëpo iu shkulën dhëmbët dhe derri ia mbathi. I zoti vrapoi drejt zagarit e nisi ta shante e ta gjuante paq me shkop, por e mbajti dorën kur zagari i shkretë e pa në sy dhe i tha :- Kurseja jetën shërbëtorit tënd të vjetër, zotëri i dashur ! Ti e di mjaft mirë që nuk më mungoi as kurajoja as dëshira, por më lanë në mes të udhës forca dhe dhëmbët, të cilat i kam humbur duke të shërbyer ty”… Ndërkohë miku im i djathtë qeshte me gjithë shpirt. Por edhe mërmërinte me gjongul lutjen pa kurrfarë qesëndie: -Aman, Doktor, mos ia shto votat Edi Ramës! Të vërtetat tronditëse nuk kanë nevojë për kallauz. E as për zhurmë politike e mediatike. Kanë nevojë për veprim e vendim juridik, larg sokëllimave e përtej “shkërdhatokracisë” së tranzicionit shqiptar.