Gjiganti teknologjik amerikan, Amazon, njoftoi të hënën se do ta nisë një program falas për trajnimin e njerëzve se si ta përdorin inteligjencës artificiale (AI).
Amazon.com njoftoi për lëshimin e programit “AI Ready”, apo “Gati për AI”, i cili do të ofrojë trajnim për zhvillimin e aftësive dhe arsimim për dy milionë njerëz në gjithë botën deri në vitin 2025.
Kompania amerikane tha se synimi i saj është ta bëjë inteligjencën artificiale të qasshme për këdo që dëshiron të mësojë.
“Inteligjenca artificiale është teknologjia më transformuese e gjeneratës sonë. Nëse duam ta zhbllokojmë potencialin e plotë të inteligjencës artificiale për t’i luftuar telashet më sfiduese të botës, atëherë ne duhet ta bëjmë edukimin për AI të qasshëm për të gjithë që duan të mësojnë. Synimi i [programit] ‘Gati për AI’ është të ndihmojë për ta bërë edukimin për AI të barabartë për të gjithë, me mbështetjen e nismave të reja që po i bëjmë sot”, tha Swami Sivasubramanian, zëvendëspresident për të dhëna dhe AI në Amazon.
Ai shtoi se Amazoni do t’i rrisë programet dhe kurset e tanishme falas për trajnim për AI “në mënyrë që ta largojmë koston si barrierë e qasjes në këto aftësi kritike”./REL