Instituti Ndërkombëtar Republikan me qendër në Uashington, prej disa vjetësh lufton kundër ndikimeve keqdashëse të huaja në Ballkanin Perëndimor.
Ekspertët nga Ballkani që punojnë me organizatën amerikane thonë se ndërsa Rusia është angazhuar në nxitjen e krizave në Ballkan, Kina ka pasur sukses në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me mungesë të plotë transparence dhe duke dëmtuar ndër të tjera edhe sundimin e ligjit.
Kolegu Artan Haraqija bisedoi me dy nga ekspertët ballkanikë që ishin së fundmi në Uashington dhe njofton se ndikimi rus dhe ai kinez në rajon ka disa ngjashmëri por edhe dallime.
Akuzat se Serbia është një vend satelit i Rusisë së Vladimir Putinit janë dëgjuar shpesh. Nuk kanë munguar as tituj gazetash ndërkombëtare si ai i “Foreign Policy” nga viti 2019 se “Ka një vend në Evropë ku Putini është yll roku”.
Por sidomos që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë, Beogradi që ndër vite ka ndjekur një politikë dualiste mes Perëndimit dhe Rusisë, ai i ka dhënë përparësi edhe një aleati tjetër, Kinës.
Prej disa vjetësh Parlamenti Evropian ka ngritur kambanën e alarmit mbi “ndikimin në rritje të Kinës në Serbi dhe tërë Ballkanin Perëndimor”.
Instituti Ndërkombëtar Republikan me qendër në Uashington ka disa vjet që është angazhuar kundër ndikimeve keqdashëse në rajon.
Stefan Vladisavljev, nga Fondacioni i Beogradit për Politika të Mira dhe Dan Ilazi, nga Organizata e Kosovës për Studime të Sigurisë janë dy prej analistëve të Ballkanit Perëndimor që janë angazhuar me Grupin e Punës së Institutit Ndërkombëtar Republikan.
“Synimi i Rusisë në Serbi është që duke bashkëpunuar me disa aktorë lokal prapa skenës apo ata të përfshirë në politikë, të dëmtojë procesin e demokratizimit dhe të integrimit evropian. Ajo që Kina bën aktualisht është zbatimi i atij lloj kapitali që dëmton strukturën ekonomike, politike apo sociale të Serbisë dhe qeverisjen demokratike”, thotë zoti Vladisavljev.
Ndonëse mes Serbisë dhe Kinës mungojnë lidhjet historike dhe fetare që Beogradi i ka me Moskën, varësia serbe ndaj Pekinit, sipas zotit Vladosavljev, tanimë ka kapur vlerën prej miliarda Eurove. Vetëm gjatë vizitës së fundit në Pekin të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç më 17 tetor, zoti Vladosavljev thotë se u arritën marrëveshje në vlerë prej 4 miliardë dollarësh. Një nga problemet e shumta me këtë sipas tij është mungesa e transparencës, pasi një mori marrëveshjesh që Beogradi ka nënshkruar ndër vite me kompani kineze, nuk janë publikuar e as diskutuar fare para nënshkrimit.
Tani, jo pak qytete serbe ku kompanitë kineze janë vendosur që disa vjet, po përballen me pasojat e këtyre kontratave. Dëmet janë të shumta, nga çështjet e mjedisit dhe shëndetit të banorëve përreth e deri te trajtimi i punëtorëve të angazhuar në projekte.
“Problemi kryesor është se Beogradi zyrtar as që po e pranon se ka disa aspekte të bashkëpunimit me Kinën që nuk janë në të mirë të Serbisë. Kundërshtimi i vetëm momentalisht po bëhet nga shoqëria civile dhe pushteti lokal i qyteteve që janë të ndikuara më së shumti pasi aty janë të pranishme kompanitë kineze”, thotë zoti Vladisavljev.
Ajo që e kemi arritur në Republikën Popullore të Kinës ka karakter dhe kuptim historik”
“Mendoj se ajo që e kemi arritur në Republikën Popullore të Kinës ka karakter dhe kuptim historik”, thotë Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç në një nga videot e publikuara në kanalin e tij në “YouTube” për vizitën e tij në Kinë më 17 tetor.
Presidenti kinez, Xi Jinping, gjatë takimit në Pekin me udhëheqësin serb tha “Presidenti Vuçiç ka kohë që është miqësor me Kinën dhe Serbia është bërë ‘mik i palëkundur’ i Kinës”.
Ndërsa negociatat e Serbisë me Brukselin për anëtarësim në BE kanë ngecur, Instituti Ndërkombëtar Republikan në një nga vlerësimet e tij thotë se pushteti në Serbi po ofron një pamje të shtrembëruar të investimeve dhe kredive kineze duke ia veshur kësaj pothuajse tërë zhvillimin ekonomik që e ka pasur Serbia viteve të fundit.
Projektet e shumta kineze sidomos në infrastrukturë e kanë bërë të pamundur sipas organizatës amerikane dhe ekspertëve ballkanikë që partitë opozitare të kritikojnë këtë bashkëpunim për shkak të rrezikut se mund të akuzohen nga pushteti se janë kundër zhvillimit ekonomik të Serbisë.
Kosova, në anën tjetër nuk ka ndikim të drejtpërdrejt nga Kina ndërsa sipas zotit Ilazi edhe përpjekjet që janë bërë përmes vendeve fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, nuk kanë pasur sukses duke vlerësuar veçanërisht punën e organeve të sigurisë. Por, thotë zoti Ilazi, ideja se këto përpjekje nuk ekzistojnë është tërësisht e gabuar.
Për Kosovën, ka një pikë takimi mes së djathtës ekstreme evropiane dhe Kinës e Rusisë”
“Arsyeja për këtë është se kur bëhet fjalë për Kosovën, ka një pikë takimi mes së djathtës ekstreme evropiane dhe Kinës e Rusisë. Ato ndajnë një qëllim që është zbehja e procesit të integrimit evropian, zbehja e ndikimit amerikan dhe të NATO-s në rajon dhe në përgjithësi zbehja e besimit të publikut në rajon ndaj vlerave evropiane, ndaj procesit të integrimit apo anëtarësimit në BE”, thotë zoti Ilazi.
“Serbëve u takon një mirënjohje e madhe, këtyre njerëzve që sot mbrojnë identitetin tonë, në realitet serbët mbrojnë gjithë Evropën, qytetërimin tonë të përbashkët”, ky ishte mesazhi i një deputeti evropian, përfaqësues i të djathtës ekstreme franceze, Nicholas Bay ndërsa e vizitonte Kosovën në vitin 2022, në vizita dhe takime me pjesëtarë të komunitetit serb.
Kjo video në kanalin e tij në YouTube por dhe përfaqësues të tjerë të së djathës ekstreme edhe nga organizata jopolitike, mundohen të krijojnë idenë se ajo që po ndodh në Kosovë është një luftë fetare mes shqiptarëve, kryesisht myslimanë të Kosovës dhe serbëve të krishterë.
“Këto janë pikërisht qëndrime që janë në përputhje edhe me qëllimin e Rusisë dhe që Rusia vazhdimisht i ka nxitur në raport me Kosovën”, thotë Dan Ilazi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Autoritetet në Kosovë shpesh kanë akuzuar Beogradin se sidomos në veri të Kosovës, Serbia me ndihmën e Rusisë mundohet të krijojë një zonë të re lufte në Evropë. Incidenti në Banjskë, në veri të Kosovës, në fund të shtatorit është një nga shembujt që sipas Prishtinës e konfirmon këtë. Për analistin serb Stefan Vladoslavljev të gjitha këto mbesin spekulim ndërsa kjo çështje nuk hetohet si duhet, por ai beson se në veri të Kosovës ka grupe që kanë lidhje me Rusinë.
“Ajo që është parë dhe konfirmuar në të kaluarën është se disa grupe paramilitare dhe disa aktorë që kanë lidhje me Rusinë kanë qenë të pranishëm në veri të Kosovës dhe se ata kanë pasur kontakte me njerëzit që kanë pasur lidhje me sulmin në Banjskë. Rusia, në përgjithësi në tërë rajonin ka luajtur rol dëmtues shumë më gjatë se sa incidentet e fundit dhe pa dyshim është një aktor që nuk dëshiron zgjidhje të qartë në procesin e normalizimit. Moska padyshim përfiton më së shumti nëse gjërat përkeqësohen nga ky moment”.
“Një mënyrë shumë efektive për të parandaluar këto narrativa kundër Kosovës që nxiten sidomos prej Rusisë është që Kosova të ketë një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve që ka me Serbinë. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Serbinë i jep një goditje të rëndësishme edhe përpjekjeve ruse”, vlerëson Dan Ilazi nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë. /VOA/