Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një deklaratë për mediat ka deklaruar se bashkëpunimi me SPAK dhe strukturave ligjzbatuese po e çon në një nivel tjetër vetëpastrimin brenda policisë nga eksponentë që përfshihen në krim.
“Prokurorët e SPAK, falë këtij besimi dhe bashkëpunimi, koordinimi mes agjencive ligjzbatuese, ne tashmë besojmë se ndajmë vlerësimin se e kemi ngritur në një nivel tjetër… një prej meraqeve të mi në drejtimin e MB, që është trafiku i drogërave, dhe falë bashkëpunimit me SPAK po çojmë në nivel tjetër procesin e vetëpastrimit të policisë së shtetit. Dosja në fjalë është një skaner i qartë i mënyrës sesi vatra kanceroze brenda policisë së shtetit ndër vite, kanë shërbyer si shërbëtor të krimit të organizuar”, tha Balla.
Po ashtu ai tha se brenda javës do të shpallet dhe emri i kreut të AMP, pasi ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së kandidaturave.
“Kemi përfunduar përzgjedhjen për drejtuesin e ri të AMP, kanë konkurruar 26 kandidatë dhe kemi mbërritur në 5 kanidatura, dhe besoj se brenda kësaj jave do të përmbyllim”, tha ai.
Ndërkohë po ashtu ministri Balla foli edhe për dosjen e 21 Janarit dhe vendimin e Strasburgut.
“MB e ka marrë vendimin dhe ia ka deleguar drejtorit të përgjithshëm të policisë, i cili do duhet të nxjerr përgjegjësitë e policisë së shtetit. Dosja ndodhet në drejtorinë e Policisë së Tiranës, mund të ndaj me ju brenda kufijve të respektimit të sekretit hetimor, që në momentin që flasim ka veprime hetimore që lidhen me elementë që disponohen në dosje. Dua të garantoj publikun se çuarja para e hetimit të plotë të zinxhirit komandues është një prej detyrave të rëndësishme që duhet çuar para. I bëj thirrje Prokurorisë që ta lexojë me vëmendje vendimin”, tha Balla.