Në mbyllje të takimeve zyrtare në Britaninë e Madhe, Ministri i Brendshëm Taulant Balla u takua me homologun britanik James Cleverly.
Balla deklaroi për mediat pas takimit se komuniteti shqiptar që jeton në Ishull, është dhe do të mbetet një urë e fortë ndërlidhëse mes dy popujve dhe autoritetet në dy vendet nuk do të tolerojnë asnjë shfaqje denigrimi ndaj tyre.
“Do ta ngremë në një nivel tjetër bashkëpunimin në fushën e punëve të brendshme me Britaninë e Madhe, të luftës kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj tjetër kriminaliteti, ky është qëlimi që do të vijojmë të ndajmë mes dy policive tona, informacione për luftën kundër krimit. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të konsiderohet si një vend i rëndësishëm partner. Puna e bërë nga pala shqiptare ka dhënë rezultate konkrete e të gjithëpranuara nga gjithë autoritetet britanike. Kam qenë shumë i qartë në bisedën që pata me Sekretarin e Shtetit për Punët e Brendshme, z. Cleverly dhe me Ministrin për Migracionin z. Jenerick se komuniteti shqiptar këtu në Britaninë e Madhe është një urë lidhëse e marrëdhënieve të mira e strategjike mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Ne jemi shumë të qartë dhe nuk tolerojmë asnjë deklaratë denigruese ndaj komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, ndërkohë që do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin në luftën kundër përfshirjes së qytetarëve shqiptarë në aktivitete kriminale”, nënvizoi Balla.
Ai foli edhe për një propozim rajonal.
“Ne do të vijojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim në funksion të një fokusi dhe qasjeje rajonale tashmë. Eksperienca e fituar me Shqipërinë duhet ndarë dhe me vendet e tjera, ku Shqipëria është e gatshme të marrë një rol udhëheqës në këtë qasje rajonale”, theksoi Balla.
Referuar njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme, dy ministrat Balla dhe Cleverly nënshkruan në Londër, dy dokumente të rëndësishëm për thellimin e këtij bashkëpunimi: Qëndrimin e Përbashkët në Çështjet e Brendshme si dhe Memorandumin mbi asistencën e Britanisë së Madhe në fushën e shkencës ligjore.