Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare po zhvillohet online pasi deputetët e Rithemelimit kanë bllokuar me karrige dyert e sallave të komisioneve. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka propozuar ndryshime sa i përket rekrutimit të policisë së shtetit, teksa hodhi idenë që të rikthejnë shkollimin “bachelor” në Akademinë e Sigurisë.

“Mendoj se ka ardhur momenti që së bashku të bëjmë disa ndryshime sa i përket rekrutimit për Policinë e Shtetit. Bashkë me ju duhet të rikthejmë shkollimin “bachelor” në Akademinë e Sigurisë, pra, menjëherë sapo mbarohet shkolla e mesme, të rinjtë te kenë mundësi të shkollohen me studime “bachelor”. Në vijim do të përgatitim draft-propozimin, por këtë do e diskutojmë në një diskutojmë në një moment tjetër”, tha Balla. Pak para fillimit të punës në komisionin për Sigurinë Kombëtare, disa deputetë të opozitës kanë bllokuar me karrige hyrjen në ambientet ku zhvillohen mbledhjet. Për pasojë, kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Nasip Naço, njoftoi se mbledhja do të zhvillohet online.