Nga Jakin Marena
Është me të vërtetë e trishtueshme kur sheh dhe dëgjon se shqiptarët me kohë dhe me vakt e kanë humbur shpresën se opozita shqiptare mund të jetë ndonjëherë alternativë pushteti.
Nëse sheh të gjitha sondazhet serioze që aplikohen në Shqipëri, në lidhje me mbështetjen që gëzojnë partitë apo grupimet politike bashkë me liderët e tyre, vihet re me sy të lirë se opozita po bie në mënyrë të rrufeshme poshtë dhe më poshtë, ndërsa ‘keoficienti’ i ‘bastit’ politik nëse do të ringrihet ndonjëherë kjo opozitë, është në limitet e fundme.
Është thuajse jashtë nivelit të përllogaritjes, ku në njërën anë kemi një mazhorancë shumë të konsoliduar tashmë, dhe kur në të gjitha rastet llogaritet si fituese bindshëm në çdo përballje elektorale sipas Kushtetutës apo zgjedhje të parakohëshme. Qëndrore apo vendore qofshin.
Ndërkohë që në anën tjetër është numri i abstenuesve, por me një kurbë të frikshme ngjitjeje, që po ‘gërmon’ rrënueshëm nga pjesa e opozitës. E cila gjendet në mes si ‘sanduiç’ ashtu e ndarë dhe e copëtuar në shumë pjesë pa asnjë shans për t’u bashkuar ndonjëherë, sidomos sa të ketë këtë konglomerat lidershipi, ku secili po lufton për të pasur ‘ngastrën’ e tij, anipse nuk garanton asgjë veçse një mandat deputeti për vete dhe për ndonjë nga ‘truprojat’ e liderit.
Dhe më i trishtueshëm është fakti se me këtë bindje për një opozitë të rrënuar dhe pa asnjë shans ringritje për shumë e shumë vite janë pajtuar dhe vetë opozitarët, duke filluar nga baza që kanë nisur të shohin hallet e tyre pasi janë ‘ambientuar’ tashmë me të qenit në opozitë e deri te liderët e opozitës, të cilët më shumë se sa ndaj kundërshtarit normal politik, që është Partia Socialiste në mandatin e tretë në pushtet dhe me shumë shanse dhe për mandate të tjera qeverisëse, po luftojnë mes njëri tjetrit për të marrë ‘territor’ dhe pushtuar ‘kalatë’ brenda ‘fisit’ politik. Një lëvizje konsumuese rrethe vetes. Nëse i referohemi terminologjisë popullore opozita është kthyer si në kohët e hershme, në një ‘luftë brenda fisit’, duke na risjellë në kujtesë kohën e paramesjetës.
Fajtor kryesor për këtë gjendje në të cilën gjendet opozita, dhe kur themi opozita gjithnjë kemi në mendje Partinë Demokratike, ajo që ka qënë në pushtet dhe tërë kohën alternativë pushteti, është Sali Berisha. I cili për 32 vite me radhë, herë President e herë kryeministër e njëherësh dhe kur ka qënë kryetar opozite sillej si një zv.kryeministër me të gjitha qeveritë PS pasi diktonte dhe nga ‘kulla’ e PD favore politike dhe financiare, pra për 32 vite me radhë nuk u ngop me pushtet.
Madje dhe kur humbi thellë më 2013 përballë Edi Ramës e dha dorëheqjen nga drejtimi i PD, qëndroi në prapaskenë duke lëvizur të gjitha fijet e pushtetit brenda partisë që kishte drejtuar për vite e vite me radhë, duke diktuar të gjitha lëvizjet dhe vendimet e forta politike. Anipse kryetar zyrtar ishte Lulzim Basha, ‘biri’ i tij politik. Këtë e ka pranuar dhe vetë Basha, si fillim në të gjitha dyert e ambasadave ku thoshte se nuk e pyet njeri në PD pasi vendos Berisha për gjithçka, e pranoi dhe publikisht po vetë Basha më pas.
Dhe njëherë që Basha, kuptohet nga presioni i SHBA, kërkoi që të bënte si lider i PD, duke përjashtuar nga grupi parlamentar, dhe më pas dhe nga partia, Berishën e shpallur ‘non grata’ nga SHBA, ithtarët e “Babës” e vunë para, duke e detyruar madje dhe të japë dorëheqje, pasi shumica e demokratëve mbështetën liderin historik. Duke treguar zyrtarisht se Berisha ka qënë aty, në krye të PD, me status apo pa status zyrtar, që nga viti 1991. Pa lëvizur asnjë sekondë nga drejtimi i kësaj partie. Nuk iku asnjëherë.
I mbërthyer pas fiksimit të tij për vulën dhe logon e PD, Berisha në krye të “Foltores”, për dy vite me radhë e shkatërroi tërësisht partinë më të madhe opozitare, përmes kërcënimeve, diversionit dhe krjimit të një klime mosbesimi tek demokratët dhe elektorati, që në fund të herës ishte i detyruar që të votonte kandidatët e Berishës nën siglën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës.
Rezultat i kësaj maskarade është dhe bojkotimi i zgjedhjeve të 14 majit të këtij viti i më shumë se 250 mijë demokratëve e mbështetësve të PD, dhe katandisjen e të gjitha copave të PD në fitoren e 7 bashkive të vogla, nga 61 bashki që janë në rang vendi.
Për të treguar ‘pikiatën’ e opozitës, mjafton të përmendim zgjedhjet e pjesëshme për bashkinë e Kukësit, ku me gjithë shkakun aspak komod për mazhorancën socialiste për të cilën u përsëritën këto zgjedhje, koalicioni opozitar i kryesuar nga Berisha-Meta, nën siglën e PL humbi dhe një të tretën e mbështetësve që kishte pasur vetëm 4 muaj më parë. Një rënie e frikshme që rrezikon të nxjerrë partinë më të madhe opozitare tërësisht jashtë sistemit.
“Fajtore” është dhe PS e kryesuar nga Edi Rama që ka fituar tre mandate radhazi në qeverisjen qëndrore dhe akoma më shumë në qeverisjen vendore, për 10 vite me radhë i ka fituar të gjitha garat elektorale përballë opozitës, pra PS që ka krijuar një trupë të konsoliduar zgjedhësish plus minus 800 mijë vota, të mjaftueshme për të fituar pafund mandate qeverisjeje. Derisa të mërzitet vetë. S’ka opozitë përballë si alternativë.
Për të treguar më qartë se sa mbështetje ka Berisha, të cilit për hall sipas të gjitha gjasave i është bashkuar dhe Bardhi, Salianji e deputetët e tjerë të PD, mjafton të shohim lëvizjet e dëshpëruara që Foltorja po bën në emër të “respektimit të Kushtetutës” në sallën e Parlamentit. Pra në pak më shumë se 400 metra katrorë. Kaq zotëron me hope opozita, e cila hyn një orë para seancës parlamentare, herë ulet në karriget e ministrave për ta ndjerë veten në qeverisje, qoftë dhe për një orë, e herë duke përmbysur karriget e ministrave, një ‘simbolikë’ kjo e zvetënuar për të treguar se si rrëzohet ‘regjimi i Ramës’.
Situatat e dëshpëruara të çojnë në veprime të dëshpëruara. Berisha është i dëshpëruar vërtet, pasi është ‘non grata’ në SHBA e Britani dhe trajtohet si i tillë nga vendet anëtare të BE por edhe nga vendet e rajonit, të cilët as nuk e takojnë, jo më ta mbështesin. Eshtë dhe i trembur rëndë pasi për herë të parë ka humbur kontrollin mbi drejtësinë, pasi SPAK e ka marrë nën hetim për korrupsion pasiv për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” dhe gjykata ka dhënë masën e sigurisë për t’u paraqitur dy herë në muaj para prokurorëve specialë. Por dhe ka futur në burg dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin, për pastrim parash përmes aferës së “Partizanit” të marrë si dhuratë nga vjehrri i tij kryeministër në atë kohë, i cili ndryshoi nga themelet ligje dhe vendime, që “djaloshi Abi” të fitonte mbi 5.4 milionë euro. Pjesa e dukshme kjo. Drejtësia i ka sekuestruar pasuritë, që nga 19 kullat te kompleksi i vilave te “Partizani”, vilën në Gjirin e Lalzit e deri tek apartmenti në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë. Ku dhe jetonte vetë Sali Berisha.
Ndaj Berisha është i dëshpëruar dhe për pasojë bën veprime të dëshpëruara, herë duke ndërsyer pasuesit e tij për të shkatërruar sallën e Parlamentit, herë duke u futur në dorë tymuese apo dhe duke deklaruar greva urie që asnjëherë nuk po realizohen, dhe duke tentuar të bllokojë seancat parlamentare përmes rrëmbimit të kartave të deputetëve të mazhorancës, shkuljen e mikrofonëve, shkatërrimin e karrigeve dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Njëjtë si në komisionet parlamentare.
Por pa rezultat. Sepse s’ka bllokuar mazhorancën, e cila ka votuar gjithë axhendën e përcaktuar në Konferencën e Kryetarëve. Duke kryer misionin për të cilin ka marrë në dorë qeverisjen e vendit ashtu në këmbë, me opozitën e ulur në ‘bythë’ në karrige siç thuhet dhe nga zona nga vjen doktori për të treguar se je ndenjur. Është vërtetë trishtuese të shohësh një 80 vjeçar në pleqëri të thellë, që për fatin tonë të keq e kemi pasur President e kryeministër, që të sillet në këtë mënyrë.
Kuptojmë dhe hallin e Salianjit, ka dy vite që është dhënë një vendim për “Babalen’ dhe nuk po ekzekutohet nga ana e gjykatës. Eshtë dënuar me burg, ndaj lëviz sa në një krah në krahun tjetër, herë me hu në dorë kundër Berishës, e herë me tymuese e karrige në dorë në sallën e Parlamentit kundër mazhorancës e efektivëve të Gardës së Republikës, që i hoqën ‘lodrën’ tymuese nga dora.
Kuptojmë dhe hallin e Gaz Bardhit, pasi nuk i dihet. SPAK të bën gjëmën sepse nuk pyet për politikën shqiptare pasi ‘pultin e komandimit’ e ka në Uashington, mund të hapë sërish në mënyrë të papritur rihetimin për vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani në Elbasan, dhe mes të tjerave del dhe emri i Gazit. Ndoshta janë vite shumë në kurriz të atij që mori tërë fajin për këtë vrasje, do mërzitet një ditë dhe do tregojë se kush e urdhëroi të zbriste nga furgoni i ‘policisë paralele’ të PD dhe të përplasej, me pasojë vrasjen e një njeriu. Ndaj është trimëruar Bardhi, e kuptojmë. Njerëzit në hall mblidhen të gjithë bashkë. Aq më tepër kur kanë hallin afërsisht të njejtë, s’ka moral, bindje apo besim që mund t’i ndajë.
Themi se lëvizja e Berishës dhe e pasuesve të tyre është dëshpëruese dhe e mbyllur në një ‘kuti’ si salla e Parlamentit, me sipërfaqe pak më shumë 400 metra katrorë, sepse s’ka asnjë mbështetje jashtë këtij perimetri. Në terrenin e hapur themi, aty ku mund të realizohet vërtetë përmbysja.
Me gjithë thirrjet publike, me gjithë organizimin e takimeve të strukturave qëndrore dhe të bazës së “Foltores” për të joshur mbështetës që të vijnë në Tiranë në mbështetje të “kauzës” së ‘mbrojtjes së Kushtetutës’ nga ana e Berishës, asnjë njeri nuk u duk tek hyrja e Kuvendit. Kishte vetëm hallexhinj që kërkonin takim me ndonjë përfaqësues të mazhorancës për ndonjë hall të tyrin. Dhe shoqata e ish minatorëve mblodhi më shumë njerëz për të protestuar se Berisha e Foltorja.
Që të mos tregohemi të padrejtë, ditën e enjte, erdhi dikush të takonte Berishën. Kishte një çakmak pistoletë dhe tha se donte të takonte Doktorin. Për arsye sigurie u ndalua. Rezultoi se dhe ai ishte një i sëmurë mendor, njëlloj si ai i 6 dhjetorit të vitit të kaluar dhe policia bëri detyrën. Hajde e hyj në mendjen e një njeriu të sëmurë mendor, s’dihej, mund t’i këpuste ndonjë grusht Berishës, duke na rikthyer skenën e 6 dhjetorit para “Dajtit” kur ndodhi akti i rrahjes publike të tij.
Ndaj demokratët nuk janë budallenj. Si mund të mbështesin një lëvizje për hallin e Berishës. Si mund të mbështesin një lëvizje tërësisht për hall personal, kur mendojnë se vetë llogarisin paratë për të mbyllur muajin, shumë prej tyre ndoshta nuk kanë as një shtëpi, e dëgjojnë që Berisha në vend që të mendonte për ta, kishte shkatërruar nga themelet shtetin, për të pasuruar djalin e tij Shkelzen përmes ‘Gërdecit’ dhe aseteve të tjera, vajzën e tij Argita si seksere të biznesmenëve vendas e të huaj, apo dhëndrin, pra dhe vajzën, të cilit i dha badihava një pasurim të shpejtë për futur asnjë lek si investitor, duke përfituar 5.4 milionë euro nga 19 kullat tek ‘Partizani’.
Demokratët por dhe ata që janë kundër qeverisë aktuale jo vetëm që nuk e kanë mbështetur dhe as nuk e kanë në mendje ta mbështesin Berishën dhe ata që e ndjekin pas, por madje llogarisin të qëndrojnë sa më larg tij, sa më larg kutive të votimit, por dhe të ikin nga sytë këmbët, pasi ua ka neveritur të djathtën, opozitarizmin dhe në tërësi këtë vend.
Ndërsa shqiptarët, mes tyre dhe demokratët, kanë nisur të harrojnë nëse ka opozitë apo jo, e cila ka për detyrë si çdo opozitë në botë për të luftuar për të ardhur në pushtet. Ua ka hequr këtë “luks” Berisha demokratëve, me betejat e tij për hallet personale të familjes dhe ortakëve të tij.
Tashmë në Shqipëri diskutohet kudo një ‘bast’ akoma më i madh: Kur e si do të shkojë Berisha si i pandehur, për t’u përgjigjur para drejtësisë për zullumet e kryera në 32 vite politikë. Madje përllogarisin dhe si do jetë qelia për të, sa vite burg do dënohet. Kjo është tema kryesore që po diskutohet aktualisht në Shqipëri, nga njerëzit e thjeshtë, por njëherësh nga ata që me votën e tyre të heqin nga pushteti apo të sjellin në pushtet.
Dhe ‘basti’ është i hapur deri ditën kur Berisha të paraqitet para drejtësisë për të marrë atë që i takon për të gjitha dosjet që ka në ngarkim. Jo vetëm “Partizanin”, por dhe “Gërdecin”, “Rrugën e Kombit”, “21 janarin”, aferën CEZ-DIA dhe dosje të tjera. Përfitojnë më shumë demokratët që do marrin frymë lirisht, do të çlirohen nga peng-marrja e Berishës, pasi do të shpresojnë për një lider të ri që do t’jua kthejë shpresën për të pretenduar ardhjen në pushtet.
Deri atëherë, me afrimin e datës së paraqitjes së tij para prokurorëve specialë të SPAK, Berisha do të vijojë të bëjë këtë ‘revolucionin’ e tij brenda sallës së parlamentit apo zyrave në kryesinë e Kuvendit. Dhe 6 nëntori është në prag. Deri atëherë do kemi spektakte të tilla nga kjo pjesë e opozitës, thjeshtë për të mbushur edicionin e lajmeve dhe kaq. Do kemi dhe akuza të tjera ndaj SPAK si ‘bandë kriminale’, anipse delegacionin e kryesuar nga Altin Dumani po takojnë me radhë të gjithë në Uashington duke i dhënë besim e mbështetje të gjërë. Vetëm me presidentin Biden s’janë takuar deri më tani. Të presim deri të hënën, kur të fillojnë të pyesin Berishën për emrin, emrin e babës, ditëlindjen dhe të fillojnë t’i drejtohen me ‘shtetasi…”! Ndërkohë që ‘revolucioni’ opozitar ka vdekur. Madje ka lindur i vdekur!