Ndikimi, fuqia për të bindur, për të mbrojtur ndryshimin dhe për të imagjinuar mënyra më të mira për të bërë gjërat, merr shumë forma. Kjo shihet edhe në numrin e përvitshëm të revistës “Gratë e Vitit” nga Financial Times.

Rezultati përfundimtar i listës së publikuar, janë gra të cilat kanë marrë vlerësime prestigjoze dhe që kanë ndikim në arenën ndërkombëtare, mes tyre edhe shqiptarja Mira Murati.

Mira Murati, shefja e teknologjisë e OpenAI, është në krye të transformimit të thellë dixhital të këtij momenti. E lindur në Vlorë të Shqipërisë, Mira tani jeton në epiqendrën e evolucionit të shpejtë të inteligjencës artificiale. Produktet novatore të OpenAI, ChatGPT dhe Dall-E, kanë rrëmbyer vëmendjen e gjithë botës dhe do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si ne punojmë, mësojmë dhe shprehemi në mënyrë krijuese. Në revistë shkruhet se udhëheqja vizionare e Mira-s shtrihet shumë përtej shkencës dhe kërkimit të modeleve të mëdha gjuhësore në dizajnimin se si të inkorporojmë Inteligjencën Artificiale në jetën tonë të përditshme. Si një gjë e rrallë – një grua që drejton një kompani teknologjike, historia dhe lidershipi i Mira Muratit janë po aq frymëzues sa teknologjia që përcakton të ardhmen që ajo mbikëqyr.

Lista me 25 gratë me më shumë ndikim në botë për vitin 2023:

Margot Robbie, Beyoncé, Barbara Kingsolver, Phoebe Philo, Lola Shoneyin, Alia Bhatt, Aespa, Mira Murati, Makiko Ono, Fran Drescher, Lisa Dyson, Carol Tomé, Karin Keller-Sutter, Marie-Claire Daveu, Marina Silva, Ursula von der Leyen, Mary Barra, Janet Truncale, Narges Mohammadi, Coco Gauff, Jenni Hermoso, Elizabeth Maruma Mrema, Chen Chien-Jou, Katalin Karikó, Olena Zelenska.