TIRANË- Në një kohë kur Sali Berisha refuzon të zbatojë masën detyrim paraqitjeje për çështjen Partizani, oficerët e Gjykatës së Posaçme do t’i trokasin ditën e sotme sërish në derë. Berisha ka refuzuar të njihet me masën e sigurisë si edhe të paraqitet në Gjykatë, por kjo mund të rëndojë pozitën e tij.
Oficerët e GJKKO do tentojnë të njoftojnë Berishën pas disa refuzimeve nga ana e tij. Kjo pasi ish-kryeministri duhet të paraqitet para oficeres së SPAK në datën 20 nëntor. Në rast se do të refuzojë edhe në këtë datë atëherë SPAK i lind e drejta për t’ju drejtuar Kuvendit për autorizim për rëndim të pozitës së tij duke kërkuar një masë më të rëndë siç mund të jetë ajo e arrestit në shtëpi.
Prej 21 tetorit, Sali Berisha i ka shmangur kontaktet me oficerët e policisë gjyqësore për të marrë prej tyre dijeninë për caktimin e masës së sigurisë. Në 26 tetor GJKKO pranoi kërkesat e dy prokurorëve të SPAK-ut Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dhe vlerësoi të ligjshme masën ndaj Sali Berishës, në mungesë, pasi u përfaqësua nga një avokat kryesisht pasi avokatët e tij me prokurë të posaçmem braktisën seancën.
Sipas masës së caktuar nga GJKKO Berisha duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore në SPAK, Adelajda Metaj të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Të hënën e parë të muajit, 6 nëntor, ish-kryeministri nuk u paraqit. GJKKO ka refuzuar ndërkohë të gjitha kërkesat e avokatëve të Berishës për shuarje mase në datën 8 nëntor si dhe për përjashtimin e Irena Gjokës, kërkesë kjo e bërë dhe më herët. Hapi i radhës i mbrojtësve të tij është ankimimi në Apelin e Posaçëm duke argumentuar se është shkelur Kushtetuta, seancë e cila ende nuk është caktuar.
Mirëpo, GJKKO në vendimin e zbardhur, ka specifikuar se ish-kryeministri ka dijeni për masën e caktuar ndaj tij dhe e ka pranuar verbalisht në konferencë për shtyp si dhe ka sqaruar përse nuk është marrë autorizimi nga Kuvendi.