Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se pa nënshkrim të marrëveshjeve të arritura deri më tani, nuk mund të ecet përpara drejt zbatimit të tyre, derisa homologu i tij serb, Petar Petkoviç, ka thënë se draft-statuti për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka qenë tema kryesore e diskutimit. Të dy janë takuar ndaras me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ndërsa takim trepalësh nuk ka pasur.

Bislimi e ka konfirmuar se në takim me Lajçakun është diskutuar për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për aneksin e zbatimit. Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë Marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër. “Gjatë javës së kaluar, zoti Lajçak na e ka sjellë një draft të ri, i cili e fut për herë të parë paralelizmin e plotë në zbatimin e Marrëveshjes, apo zbatim më të balancuar, dhe ne jemi përpjekur që për këtë draft t’i japim komentet finale, në mënyrë që i njëjti të jetë i pranueshëm edhe për palën tonë. Mendoj se ka pasur gatishmëri të madhe të Lajçakut që t’i akomodojë propozimet tona dhe të gjitha janë argumentuar mirë në detaje”, ka thënë Bislimi, pas takimit.

I pyetur nëse është diskutuar për draft-statutin për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – të dorëzuar nga një delegacion perëndimor javë më parë në Prishtinë e Beograd – Bislimi ka thënë se kjo pikë ka qenë në agjendë, por pala kosovare e ka bërë të qartë qëndrimin e vet qysh më 26 tetor, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me zyrtarët perëndimorë. Ai ka thënë se duhet të ketë nënshkrim të draft-statutit dhe Marrëveshjes për normalizim, në mënyrë që ato të zbatohen. “Nuk mund të nisë zbatimi [pa nënshkrim], sepse duhet garancia që kemi një marrëveshje valide, që sjell obligime edhe për palën tjetër”. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik. I pyetur nëse qëndron deklarimi i zyrtarëve evropianë se draft-statuti i prezantuar është versioni më i mirë që ka pranuar Kosova, Bislimi ka thënë se një qëndrim i tillë është subjektiv, sepse “Kosova nuk ka pasur deri më tani oferta”.

“Kemi pasur drafte që kanë qarkulluar, por mund të themi që drafti që i është dorëzuar Kosovës nga miqtë tanë të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, gjatë përgatitjes së neneve të veta, ka pasur një kujdes të shtuar për provizionet kushtetuese të Kushtetutës së Kosovës”, duke shtuar se çështja nëse është ai dokument plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës e vendos Gjykata Kushtetuese.
Bislimi ka thënë se në takim është diskutuar edhe për çështje të energjisë, për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, dhe për mbajtje të zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës. I pyetur nëse do të ketë një takim të radhës në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, deri në fund të vitit, Bislimi ka thënë se Lajçak nuk ka përmendur datë konkrete.

“Është fakt që zgjedhjet në Serbi e kanë dëmtuar shumë procesin, për arsye se janë caktuar si obstruksion për ecurinë e procesit të dialogut. Kjo sjell paqartësi se si mund të ecim tutje. Sot gjatë takimit nuk është diskutuar assesi dhe asnjë moment opsioni për takime të radhës”. Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi janë shpallur për 17 dhjetor.