Blendi Fevziu: Që të nxjerrësh njerëzit në rrugë,
“Nuk janë forma që s’njihen këto në Shqipëri”. Kështu është shprehur gazetari Blendi Fevziu për mënyrën si opozita po vepron në seancat e fundit parlamentare.

I ftuar në studion e “Milori Live”, Fevziu u shpreh se opozita është në një situatë të tillë që nuk ka zgjidhje tjetër për t’u evidentuar.

“Opozita po vuan në mënyrë absolute gabimet e veta, faktin që nuk reagoi siç duhej menjëherë pas zgjedhjeve të 2021-it, duhet ta largonte Bashën, duhet të kishte ruajtur kohezionin e brendshëm, duhet të kishte zgjedhur një kryetar të ri opozitë. Sot do kishim një opozitë që do ishte shumë më serioze, shumë më kërcënuese për mazhorancën, nuk e di do fitonte apo jo…Por, me shumë gjasë edhe mund të fitonte sepse shifrat ishin shumë afër. Askush në PD nuk tentoi të përjashtojë Bashën, me përjashtim të Agron Shehajt i cili kandidoi kundër tej dhe ju e dini si shkoi historia.

Pastaj Basha bëri lëvizjen kundër Berishës…Domethënë, ndonjëherë është ajo historia e kumbullave të tharta, që kur i ha nuk të rregullohet goja për një kohë të gjatë. Që do të thotë, nëse opozita do të kishte reaguar më herët do të ishte në një situatë tjetër. Por, në situatën që është nuk ka një zgjidhje tjetër veçse të ndihet, se ndryshe nuk do ekzistojë më fare”, tha Fevziu.

Sipas gazetarit, mazhoranca është e favorizuar në këtë rast sepse po bën një “lojë” mes dy opozitave në bazë të interesave të saj.

“Edhe po të ikë Berisha, ata që mbeten do ta bëjnë njësoj. Ideja është do pyeten apo jo, do kenë ca të drejta dhe këta apo jo. Nga ana tjetër PS e çon çdo gjë te Berisha dhe kjo e favorizon njëfarë mënyre sepse duket histori 30 vjeçare që përsëritet vazhdimisht. Unë nuk di të them cila është strategjia, është e thjeshtë. Kemi një opozitë e cila do të faktorizohet, që nuk ka as letrat legale të saj, që ia ka pala tjetër.

E vetmja mënyrë që të ndihet dhe të evidentohet është të jetë radikale në raport me mazhorancën. Kemi një mazhorancë që luan mes dy opozitave të futura në kaos duke u munduar t’i mbajë dhe t’i lëshojë sipas interesave të veta. Kostoja është tek vendi, ka një mazhorancë shumë të fuqishme dhe një opozitë me probleme. Është momenti që opozita duhet të marrë një vendim, që të ndihet si ekziston”, tha ai.

I pyetur se çfarë ndodh nëse opozita krijon protesta, ai u shpreh:

“Janë një formë e jashtëzakonshme e funksionimit të shoqërisë, që e vë në vështirësi qeverinë. Kemi opozita të tjera që kanë dalë në rrugë dhe kanë imponuar vendime. Por që të nxjerrësh njerëzit në rrugë, duhet të tregosh që je i besueshëm dhe që po mbështet një të mirë publike”.