Erzen Breçani i ka kërkuar para të birit, burimi i të cilave ka qenë trafikimi dhe shitja e lëndëve narkotike, duke investuar në aktivitetin tregtar ‘HEC DRITA ENERGY’, me administrator Eralbi Breçanin, i cili ka për bashkëshorte motrën e Ervin Matës.

‘Këto përfitime të paligjshme janë investuar në HEC, gjykata vlerëson se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se Erzen Breçani ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 287 të K.Penal,’- thuhet në dosjen hetimore të SPAK.

Sipas gjykatës Breçani, ishte në dijeni të aktivitetit të jashtëligjshëm të djalit të tij Eralbi Breçani.

Në një moment tjetër në dosje del këngëtarja Elvana Gjata garancia e kalimit të parave të të fejuarit të saj, Ervin Mata. Këngëtarja siç duket kishte vënë në dispozicion të Matës edhe llogarinë bankare. Kjo del nga një bisede mes Erzen Breçanit dhe të birit.

Më datë 18.08.2020 Erzeni pasi ka marrë në posedim aparatin telefonik me SkyECC, i dërgon mesazh zanor. Komunikon me djalin e tij Eralbi Breçani dhe i tregon që aparatin telefonik ia ka blerë Bujar Ajeti për shkak se janë përgjuar. Erzeni i tregon që ka patur një bisedë me Ervin Matën dhe ky i fundit i ka ofruar 500 mijë euro borxh për ta ndihmuar për ndërtimin e një HEC-i, por Erzeni ka refuzuar.

Ai i kërkon të birit që mos të vazhdojë me aktivitetin e tij jashtë shtetit duke rrezikuar dhe për t’i vënë në dukje rrezikshmërinë i tregon edhe për rastin qe e ka përgjuar policia së bashku me Bujar Ajetin. Ata shkëmbejnë mesazhet:

‘Ç’a je ka bani ju? Si asht Ervini?…Nuk pata kohë me të thanë se mtha mue po ti dergoj nga llogaria e elvanes 500 mij euro borxh…E maroj punet sa t’i kalosh kto halle…I thashë jo ne asnje menyrë…I ka Eralbi po nuk ka me ç’ka i sjell tha, kam njerez une që i sjellin sa te dush… Tash sa ka i bjen ne mend hic per HEC-in me than te drejten….Me mujt me gjet noj lek me i ruejt per noj sëmundje se fola me Bardhin e ka pas ka pague i rrug hekur e gjys pagese Ramizit e nuk kem pague as punëtoret gati një muaj. Ruje veten ti eme kan shnosh per veti e lej punt që rrezikojnë se apo e shef si mu kan vu mue e Bujarit, tan shteti ne shpin…’- thotë Breçani.

Koncesioni me afat 35 vite për ndërtimin e HEC Drita është dhënë më 12 korrik 2019 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit . Në vitin 2022 shoqërisë me administrator vëllain e Erzenit Ftabardh Breçani, i është pezulluar aktiviteti

Po ashtu dyshohet se ai ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione shtetasve Bujare Ajeti Gërmizi si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që këta shtetas t’i shmanden arrestimit nga policia gjyqësore. Sipas dosjes, nga informacioni i dhënë nga Erzen Breçani, ka ndikuar që shtetasi Bujar Ajeti Gërmizi dhe Nuredin Dumani të shmangin komunikimet ose lëvizjet që mund të sillnin arrestimin e tyre.

Erzen Breçani dhe Bujar Gërmizi njihen prej shumë vitesh për shkak se Bujar Gërmizi vinte nga radhët e policisë dhe vinte nga radhët e Forcave speciale. Bujar Gërmizi në atë kohë ishte njeriu që mbështeste dhe strehonte të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani. Një moment thuhet që Gërmizi i ka dhënë një celular të enkriptuar Erzen Breçanit, celular i cili është rimbushur kur është përdorur më herët nga Dumani. Djali i tij, Eralb Breçani është po ashtu mes personave të kërkuar.

Nga 11 persona për të cilët ishin lëshuar urdhra arresti, u kapën vetëm 5 prej tyre, ndërsa të tjerët rezultojnë të jenë jashtë Shqipërie. Në pranga përfundoi ish zëvendës Drejtori i Policisë së Tiranës Erzen Breçani; drejtuesi aktual i Hetimit të Krimit në Komisariatin 6 në Tiranë Dedan Gjoni; Bujar Gërmizi, një personazh, i cili dyshohet të ketë aktivitet të ndjeshëm në trafikun e drogës, si dhe Besmir Murati, i lidhur ngushtë me Gërmizin.