Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij në mbledhjen online të Komisionit të Ligjeve për diskutimin e buxhetit të 2024-ës, u shpreh se ky buxhet vjen me rritje krahasuar me vitin 2023.

Ai u shpreh se me buxhetin e 2024-ës, Ministrisë së Drejtësisë, iu akordua një shumë prej 14.6 miliardë lekë që vjen me një rritje prej 1.7 miliardë lekësh, ose 8.7 % më shumë se buxheti i 2023, i cili ka qenë 8.9 miliardë lekë.

“Ne jemi dakord me buxhetin e 2024-ës. E kemi votuar në Këshillin e Ministrave. Ky buxhet vjen me rritje. Buxheti afatmesëm 2024-2026 i ndarë në vite, 2024-a 14.6 miliardë, 2025-a 15.8 miliardë, dhe 2026-a 16.4 miliardë. Pra buxheti afatmesëm i Ministrisë së Drejtësisë i rakorduar dhe me Ministrinë e Financave vjen në rritje.

Me buxhetin e 2024 na është akorduar një buxhet 14.6 miliardë lekë me një rritje 1.7 miliardë lekë, ose 8.7 % më shumë se buxheti i 2023 i cili ka qenë 8.9 miliardë lekë.

Kjo rritje, 1.2 miliardë shkojnë për shpenzime të personelit, 23.3 milionë lekë janë rritur shpenzimet koherente. Në shpenzimet koherente janë shtuar 595 milionë lekë për kompensimin financiar të ish-pronarëve , 74 milionë lekë për aparatin e Ministrisë së Drejtësisë për sektorin e përkthimeve, por është pakësuar në sistemin e burgjeve me 23 milionë lekë. 480 milionë lekë janë shpenzime për investime kapitale të brendshme”, tha Manja.

Ministri vuri theksin te nevoja urgjente për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e sistemit ALBIS të shërbimit përmbarimor shtetëror.

Manja theksoi se regjistri elektronik i shërbimit përmbarimor gjyqësor publik, është jashtë funksionit

“Aparatin ne e kërkojmë për përmirësimin e sistemit ALBIS të shërbimit përmbarimor shtetëror. 251 milionë lekë duhen për implementimin e këtij sistemi dhe 49 milionë duhen për mirëmbajtje. Është urgjente, ka dy vite pa mirëmbajtje. Pra praktikisht, regjistri elektronik i shërbimit përmbarimor gjyqësor publik, është jashtë funksionit. Është sistem i ndërtuar, por ka nevojë për përmirësim dhe mirëmbajtje.

Për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, kemi nevojë për një shtesë 315 milionë lekë, për përmirësimin e kushteve fizike të jetesës nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës në disa nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale; për sistemin e menaxhimit të informacionit, protokollit, sallën operative të SHKKB-së; dhe për studime”, u shpreh ai.