Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, në një takim me qytetarët e Tiranës, bëri me dije disa nga investimet kryesore që po ndodhin dhe do të ndodhin në kryeqytet. Në fillim, Veliaj u ndal te zhvillimi e zonave të ndryshme të Tiranës, e më pas foli për shkollat e reja dhe rindërtimin.
“Në fund të “Bulevardit të Ri” do të kemi një shesh ikonik. Po ashtu, duam që zona e autotraktorëve të pësojë një zhvillim, sidomos zonës rreth unazës. Po të shikosh, vlera e pronës rritet kudo ku kalon infrastruktura. Në perëndim të Tiranës, projekti ynë kryesor është Zona e Lirë Ekonomike “TEDA”. Mezi pres t’i japim gaz atij projekti fantastik, ku pritet të punësohen 5 deri në 7 mijë vetë në punët e së ardhmes. Kryesisht kompanitë janë nga Izraeli dhe kompani të fushës së teknologjisë, që duan të vendosin data serverët e të gjithë Ballkanin në Tiranë. Në Jug, projekti më i madh është projekti i Lanës, pra pjesa jugore e lumit. Kush ka kaluar nga materniteti i ri “Koço Glozheni”, në drejtim të Shkozës, e ka parë se çfarë transformimi i ka ndodhur zonës. Fshati që duket s’do kallauz! Jam i sigurt se do të politizohet edhe ky projekt, si çdo gjë e mirë që ndodh në qytet, por jam absolutisht i vendosur që ta bëjmë zgjatimin e Lanës deri në Kashar”, tha Veliaj.
Ai tha se buxheti parashikon edhe investimin në dy lote për ndërtimin e shkollave të reja, loti i Saukut, Liqeni i Thatë, Kopshti Botanik, si dhe loti tjetër i “Astirit”, i cili ka një rëndësi të veçantë. Sa i përket projektit të rindërtimit, Veliaj tha se nuk do të jenë vetëm lagje për të strehuar familjet e prekura nga tërmeti, por lagje me çdo lehtësirat e nevojshme për banorët, duke i dhënë vlerë të shtuar hapësirave më të reja të kryeqytetit.
“Te lagjja “5 Maji” jemi afër fundit me banesat aty, ndërkohë edhe 7 pallatet në Kombinat po mbarojnë, por do ishte mëkat që ta linim pa infrastrukturë. Ne nuk duam të bëjmë konvikte për njerëzit që i gjeti fatkeqësia e tërmetit. Aty do të transferohen edhe institucione të qeverisë dhe të bashkisë, por mbi të gjitha do të bëjmë infrastrukturë. Se po i lamë vetëm si banesa, pa infrastrukturë, pa rrugët e mira, pa parqe, pa parking, nuk shkon. Një pjesë e buxhetit do të shkojë për infrastrukturën mbështetëse të këtyre lagjeve. Ndërkohë, në Tiranën jugore, në Kopshtin Botanik do të investojmë si tek Kopshti Zoologjik, e cila ka dalë një hapësirë fantasike. Do të jetë një ikonë edhe për mënyrën sesi është dizenjuar projekti i ri, por edhe për sa ekonomi do prodhojë për zonën me turizëm, edhe me vizitorë”, u shpreh Veliaj.