Politikat sociale do të vijojnë të jenë në vëmendje të buxhetit të vitit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës. Duke e quajtur një prej buxheteve më të mëdha në 8 vitet e fundit, me një 10-fishim në shifra, kryebashkiaku Erion Veliaj, në dëgjesën e radhës për projektbuxhetin e vitit 2024, ka listuar disa prej sektorëve më të ndjeshëm socialë, ku do të fokusohen investimet.
“Mund të them me krenari se janë trajtuar me kredi të butë 3.651 familje, çifte të reja, që kanë blerë apartamentin e tyre dhe jetojnë në Tiranë. Për bonusin e strehimit, jemi ndoshta i vetmi qytet që e bëjmë, ndërkohë janë trajtuar në total 2307 familje, të cilave Bashkia e Tiranës u paguan qiranë e shtëpisë, në pamundësi që ata ta mbulojnë vetë me çmimet e tregut. Tirana sot po merret shembull edhe nga shumë qytete të tjera për faktin sesi duhen menaxhuar emergjencat dhe jam vërtet krenar që kemi gjetur zgjidhjen më dinjitoze për 3.337 familje të mbetura pa strehë nga tërmeti, të cilat kanë përfituar po ashtu nga bonusi i qirasë. Vetëm në Unazën e Madhe ne kemi 282 familje që kanë përfituar nga ky program dhe dua t’i falënderoj për bashkëpunimin dhe për faktin që nuk janë politizuar”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se bashkia do të vijojë edhe vitin që vjen programin e banesave sociale. “Kemi 385 familje që jetojnë në banesat sociale në Shkozë. Duam që me këtë buxhet të ndërtojmë banesa sociale të tjera, të shpërndara nëpër qytet. Këtë vit kemi piketuar një hapësirë aty ku do të vendoset Poli i Drejtësisë, ku duam të ndërtojmë një kompleks tjetër të banesave sociale. Po ashtu, kemi edhe një hapësirë në Shkozë dhe në vendin ku ndahemi me Kamzën në Kodër-Kamëz, për t’u siguruar që të akomodojmë njerëz në lagje të ndryshme, por pa i zhvendosur nga komuniteti ku tashmë janë”, tha Veliaj.
Sipas tij, përveç 8 qendrave sociale që janë aktualisht në Tiranë, vitin e ardhshëm do të hapen edhe dy qendra të tjera në zona rurale. “Kemi 8 qendra sociale që u shërbejnë 1600 individëve. Fakti që qendrat sociale tona janë kthyer në model dhe vijnë shumë bashki të rajonit për të parë si bëhet shërbimi, më inkurajon që të vijojmë edhe në Zallherr dhe në Vaqarr; pra të shkojmë përtej Tiranës urbane”, vijoi ai.
Veliaj foli edhe për vijimësinë e bonusit social, ndihmës ekonomike, shportën e bebes dhe mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara. “Për 2800 familje do të vazhdojmë të japim bonusin social. Dua të vazhdojmë edhe me shportën e bebes. Ndërkohë, kemi 24.205 persona me aftësi të kufizuara dhe me ndihmë ekonomike, që përfitojnë shërbime të Bashkisë së Tiranës. Po ashtu, kemi disa programe të nxitjes së punësimit, sidomos për të rinjtë dhe të rejat. Ne duam që tek Piramida, nga 1 janari, ta çojmë zero tarifën e TUMO-s, që çdo çun dhe çdo gocë, pavarësisht gjendjes ekonomike në familje, të mësojë punët digjitale dhe aftësimin digjital. Kemi 25.100 familje që kanë përfituar nga programi i rindërtimit dhe vendimmarrja që kemi marrë është se deri në Vitin e Ri, të gjithë njerëzit që kanë këstin e fundit ta marrin, të mbyllin të gjitha riparimet e shtëpive, DS1/DS2/DS3/DS4, për ta mbyllur përfundimisht historinë me tërmetin”, u shpreh ai.
Në fund, kryetari i Bashkisë tha se do të vijohet edhe me Fondin e Komunitetit, duke mbështetur edhe më shumë ato familje që nuk kanë mundësi financiare, në mënyrë që të shtohet numri i pallateve të vjetra me ashensor dhe veshje me kapot.