Ditën e sotme nisi punimet Samiti i Tretë i Diasporës, i cili do të zhvillohet përgjatë dy ditëve në Tiranë. Samiti bëri bashkë shqiptarë nga mbarë bota, studiues të gjuhës, kulturës, historisë e traditës shqiptare. Gjatë ditës së parë, në kuadër të Ditës të Arbëreshëve, të pranishmit u mblodhën për të diskutuar mbi aspekte të rëndësishme të çështjes arbëreshe, si ruajtja e gjuhës, identitetit dhe besimit të tyre.

Gjatë takimit, studiues nga rajone të ndryshme të Italisë, si profesor Vito Matranga nga Universiteti i Palermos, profesori i shquar i gjuhës italiane Anthony Mollica dhe profesori i gjuhës shqipe në Itali Francesco Altimari, folën edhe për nevojën e bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit nga të dyja vendet, për të ruajtur gjuhën arbëreshe, si një varietet i kërcënuar me kompleksitet të lartë, e cila pasuron kulturën e të dyja vendeve. Ky proces kërkon angazhimin e Italisë dhe Shqipërisë për të qasur mënyra didaktike në mësimin e gjuhës arbëreshe, sidomos për më të vegjlit.

Sipas tyre, hapi i parë që vendet duhet të ndërmarrin është përgatitja e mësuesve dhe prindërve për të ndërtuar një terren motivues ku të zhvillohet didaktika. Mësuesit duhet të bëhen të vetëdijshëm se procesi i nxënies në shkollë lidhet me ndërtimin e kompetencave kryesore të nxënësit. Ndër kompetencat gjuhësore, dygjuhësia ose bilinguizmi ka një rol themelor. Ato ndihmojnë jo vetëm në pasurimin e gjuhës kryesore, por zhvillojnë më tej edhe dialektet, ku përfshihet edhe arbërishtja.