Gazeta greke “Kathimerini” ka publikuar sot tri kushtet në çështjen Beleri, që Greqia i ka vendosur Shqipërisë për të pranuar hapat e ardhshëm të anëtarësimit të saj në BE.
Në numrin e sotëm të gazetës më të madhe greke thuhet se kushtet “bazohen në një deklaratë me shkrim të depozituar dje në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm dhe i janë bashkangjitur letrës së dërguar Tiranës dhe Shkupit nga 27 vendet e BE-së, për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave”.
Konkretisht, Greqia kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë si dhe prezumimi i pafajësisë.
Sipas gazetës, ashpërsimi i qëndrimit grek lidhet me intolerancën që Tirana ka treguar këtë periudhë , por është edhe një mesazh për partneret europianë, të cilët konsiderojnë se Greqia po e bilaterizon çështjen Beleri, duke injoruar dimensionin e saj thellësisht evropian.
“Për Greqinë, situata që mbizotëron bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta evropiane, kriteret e anëtarësimit dhe të drejtën europiane, të cilat janë të panegociueshme”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se kjo deklaratë specifike me shkrim është tashmë qëndrimi i regjistruar zyrtarisht i Greqisë për procesin e anëtarësimit në BE dhe do të shoqërojë çdo hap të Shqipërisë, nëse, sigurisht, nuk përputhet me çështjet shumë themelore të ngritura nga Athina dhe që janë pjesë përbërëse e shtetit ligjor evropian.
“Përndryshe, Greqia nuk do të jetë në gjendje të bjerë dakord për fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e raportit të vlerësimit të standardeve të pazgjidhura”, përfundon deklarata.