Magjia e madhe e Champions League rikthehet, këtë të martë, me ndeshjet e pesta në grup që mund të vendosin fatin e disa skuadrave për kualifikimin më tej.
Vëmendja është te grupi i ferrit, aty ku Milan pret Dortmund në “San Siro”. Trajneri Stefano Pioli është me dhimbje koke, Leao, Okafor dhe Kalulu nuk ia kanë dalë të jenë pjesë e skuadrës pasi janë të dëmtuar. Edhe te gjermanët, dy lojtarë janë në dyshim, Adeyemi dhe Haller, për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore.
Edhe ndeshja tjetër e grupit premton spektakël. Paris Saint Germain pret Newcastle në “Parc De Prince”. Francezët kërkojnë vetëm fitore nëse duan të hedhin një hap drejt kualifikimit, ndërsa anglezët në rast të një humbje do t’i shuanin të gjitha shpresat për një biletë më tej.
Ndeshje e bukur është dhe ajo mes Barcelonës dhe Portos, një sfidë direkte për të marrë kreun e grupit. Aktualisht, dy ekipet janë në kuotë të barabartë pikësh me 9 pikë dhe një fitore sot mund t’i siguronte kalimin me tej.
Në ndeshjen tjetër të grupit Antverp ku aktivizohet dhe futbollisti i kombëtares shqiptare Arbnor Muja, do të përballet me Shaktar Donetsk. Ekipi i futbollistit shqiptar i ka mbyllur të gjitha llogaritë pasi në 4 ndeshje nuk ka grumbulluar asnjë pikë megjithatë, siç e kanë theksuar disa herë, ata do të bëjnë misionin e tyre deri në fund.
Edhe në Grupin E, llogaritë janë ende të hapura pasi në garë janë 3 skuadra. Atletico Madrid udhëton në Holandë përballë Feyenoord. Spanjollët aktualisht janë në vendin e parë dhe do i mjaftonte një fitore sot për të blinduar një biletë kualifikimi për më tej.
Nga ana tjetër, Lazio përballet me Celtic, ekipin e fundit në grup. Edhe italianët do të mjaftohen me një fitore sot për të hipotekuar kualifikimin. Në ndeshjet e tjera, City që ka prerë biletën për më tej përballet me Leipzig, ndërsa Young Boys sfidon Crvena Zvezdan.