Juve nuk lejon Inter të arratiset. Zikaltërit kanë një ekip që mund t’i rivalizoi këtë sezon, për momentin vetëm “Zonja e Vjetër” mund ta bëjë këtë. Ekipi i Allegrit nuk është brilant, por janë fitues, këtë e vërtetuan edhe kundër Fiorentines, duke dale me tre pikë nga një transfertë ku rivali i tyre ishte superior në çdo aspekt. Fiore kishte 68% kontrollin e topit, krijuan 25 raste për gol, goditën 4 herë kuadratin, por as kaq nuk mjaftoi për të thyer Juven, kjo ishte ndeshja e 6 radhazi që torinezët nuk pësojnë. Allegri ka ndërtuar një “bunker” të vërtetë, vetëm 6 gola të pësuar në 11 javë, po aq sa edhe Inter, dy ekipet me mbrojtjen më të mirë në Serie A.

Allegrit i mjaftoi një gol i Miretit që në minutën e 10-të dhe një super Szczensy, mbi të gjitha në pjesën e parë, ku ndali mrekullisht Nico Gonzales dhe më pas Biraghi-n. Kjo ishte fitorja e tetë e Juves këtë sezon duke mbajtur vendin e dytë në kuotën e 26 pikë, 2 më pak se sa Inter. Pikërisht në lidhje me këtë rivalitet me ekipin zikaltër u pyet edhe Allegri pas ndeshjes, për më tepër që Serie A rezervon një përballje direkte mes dy ekipeve pas 2 javësh:

“Inter? Fillimisht përballemi me Cagliari-n. Kampionati është shumë i gjatë. Ne e dimë shumë mirë që kemi disa limite, po punojmë mbi këtë, por në të njëjtën kohë kemi edhe cilësi të rëndësishme. Inter është një skuadër që është ndërtuar prej kohësh për të fituar titullin, duhen respektuar”, u shpreh Allegri.